Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve: Të drejtat e fëmijëve, të mbrohen e promovohen
Në Ditën e Fëmijëve, UNICEF dhe organizatat Terre des Hommes...

Në Ditën e Fëmijëve, UNICEF dhe organizatat Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision , përkujtojnë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë në mbrojtjen e fëmijërisë, se të drejtat e të gjithë fëmijëve pa dallim duhet të mbrohen dhe të promovohen.
Në një deklaratë për shtyp të këtyre organizatave thuhet se, kjo ditë , e lidhur me shpalljen e Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve në 1950, na kujton se fëmijët kanë të drejtë të mbrohen nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, shfrytëzimit apo neglizhimit.
Kjo e drejtë është një nga shtyllat kryesore të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara. Që kjo e drejtë e fëmijëve të realizohet, shumë më tepër duhet bërë në të gjitha nivelet e qeverisjes, por veçanërisht në nivel vendor nëpërmjet bashkëpunimit efektiv të të gjithë aktorëve të përfshirë në punën për mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës.
Ngritja e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve është një detyrim ligjor i pushtetit vendor. UNICEF, Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision u bëjnë thirrje të gjithë autoriteteve kompetente që të tregojnë publikisht angazhimin e tyre për fëmijët si dhe t’i kushtojnë rëndësi dhe të trajtojnë me prioritet çështjet e mbrojtjes së fëmijëve.
Këto organizata qëndrojnë të gatshme të mbështesin njësitë vendore në mbarë botën në përmbushjen e detyrimeve të tyre, por njëkohësisht do të monitorojnë punën e administratave lokale në këtë drejtim. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
