Botë
Shqipëria merr drejtimin e KS të OKB-së, Rama: Drejtësia e paqja ecin krah për krah
01.06.2022 14:22
Shqipëria do të mbajë për një muaj presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së....

Shqipëria do të mbajë për një muaj presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Një ngjarje të tillë, kryeministri Edi Rama e cilësoi privilegj, në një video-mesazh në rrjetet sociale. Duke përmendur raste të shkeljes së të drejtës ndërkombëtare, Rama tha se debati i nivelit të lartë që do të drejtojë të enjten, do të ketë pikërisht këtë tematikë.
“U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë. Në Europë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Mesazhi që Rama përcjell si lajtmotiv i kësaj presidence është edhe një thirrje për liderët e të gjitha kombeve:
“Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë. Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh. Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, pjesën tonë për të përmbushur.”,- theksoi Rama.
Debati i kryesuar nga kryeministri Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Takimet e kryesuara nga kryeministri Rama do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor përfshirë në nivel Ministror.
LULJETA NDOKA
