Ekonomi
Rriten çmimet e produkteve, qytetarët: Nuk u rritën prej sot po duhet të hamë
01.06.2022 15:18
Nuk ka më kufizim të çmimeve, megjithatë qytetarët kishin mbushur shportat me gjërat e nevojshme...

Nuk ka më kufizim të çmimeve, megjithatë qytetarët kishin mbushur shportat me gjërat e nevojshme. Edhe pse vërejnë një rritje të ndjeshme të çmimeve, thonë se barku duhet të ngopet. Rritja e çmimeve, sipas tyre, nuk është që sot, por ka disa muaj që çmimet vazhdimisht rriten.
“Krejt kanë hip, çdo ditë e më tepër.”,- tha një qytetar.
“Sot ishte më shtrenjtë, po prapë dolëm të bëjmë pazar. Ka dallim të madh në çmime, por patjetër e kemi të hamë. Derisa kemi do të hamë, pastaj Zoti e di se çfarë bëhet.”,- theksoi një qytetar.
“Nuk kishte diçka të jashtëzakonshme, njëjtë si tjera ditë. Përditë çmimet po rriten.”,- u shpreh një qytetar.
“Shtrenjtë, shtrenjtë. Gjithçka është shtrenjtuar.”,- potencoi një qytetare.
Në markete çmimi i vajit ishte rritur për së paku njëzet denarë, ndërsa rritje kishte edhe te produktet tjera bazë. Në disa markete çmimi i vajit kishte arritur edhe vlerën e 170 denarëve që është rekorde për këtë produkt.
Rritja e çmimeve të vajit, miellit, qumështit dhe produkteve tjera bazë vjen pasi skadoi afati i masave anti-krizë me të cilat ishte zbritur TVSh për këto produkte nga 5% në 0%.
Ekspertët: Stabilizimi i çmimeve, pritet në vjeshtë
Nga Banka Popullore qetësojnë qytetarët se rritja e çmimeve nuk do të jetë afatgjate. Me këtë pajtohet edhe ekonomisti Abil Baush i cili tha se pret stabilizim të situatës me çmimet nga vjeshta.
“Në shtator apo tetor presim stabilizim. Goditja e çmimeve nuk do të jetë siç e kishim para tre muajve, kur kishim krizë të inflacionit, ku kishim mungesë të ofertës. Duhet që qeveria të mendoj të bëjë planifim strategjik, apo të vendosin qëllime të caktuara strategjike. Ne më këto goditje të çmimeve nuk mund t[i durojmë kështu të papërgatitur.”,- tha eksperti ekonomik, Abil Baush.
Përveç ushqimit u shtrenjtuan edhe derivatet e naftës, të cilat veç më kanë çmime dukshëm më të larta.
ERSAN PAJAZITI
