Maqedoni

Heqja e masave anti-krizë, VMRO–DPMNE kërkon përkrahje për ligjet e tyre

01.06.2022 15:53

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka alarmuar për rritje të çmimeve të derivateve të naftës...

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka alarmuar për rritje të çmimeve të derivateve të naftës dhe produkteve ushqimore pas heqjes së masave anti-krizë. Nga partia e Mickovskit druajnë se mund të vijojë inflacion i theksuar, andaj ftuan shumicën të mbështesë dy ligjet e tyre, ku akciza e lëndëve djegëse do të doganohej me 5% TVSh, ndërkaq produktet ushqimore do të lirohen nga TVSh deri në fund të vitit 2022.
 
“Ftojmë kolegët e shumicës që t’i thërrasin mendjes dhe të gjithë së bashkë në një seancë urgjente t’i votojmë propozim ligjet për akcizat dhe TVSh-së. Çmimi për 1 litër Eurosuper 95 është 104 den., ndërkaq me propozimin tonë do të jetë 81 den. Çmimi i 1 litër Eurosuper 98 për momentin është 106.5 den., me pranimin e propozimit tonë do të jetë 83 den.. Çmimi i Eurodizel-it është 95 den., por me propozimin tonë do të jetë 76 den.”,- tha deputeti i VMRO–DPMNE-së, Bojan Stojanoski.
 
ASh: Të ulet TVSh-ja dhe akcizat
 
Nga Aleanca për Shqiptarët konsiderojnë se me heqjen e masave anti-krizë qeveria po zhvat qytetarët. Kërkojnë ulje të TVSH–së dhe akcizës.
 
“Urgjentisht kjo qeveri duhet t’i pranojë propozimet e ASh-së të bëra publike që nga koha e para aplikimit të masave anti-krizë - ulje e TVSh-së nga 18% në 5%, ulja e akcizës për benzinën nga 22.00 denarë në 15 denarë dhe për dizelin nga 15.50 denarë në 9.00 denarë, si dhe uljen e marzhës së tregtimit dhe skladimit nga ana e operatorëve të shitjes me pakicë në vlerën fikse prej 3 denarë.”,- theksoi deputeti i ASH-së, Elmi Aziri.
 
Besa: Qeveria s’ka vizion për zbutjen e krizës
 
Nga Lëvizja Besa thonë se qeveria  po dëmton ekonominë pa propozuar hapa të tjerë anti-krizë.
 
“Kjo dëshmon se shteti është para falimentimit dhe arka është e zbrazur. Qeveria nuk ka vizion për të zbutur shtrenjtimin e çmimeve. Paratë e qytetarëve menaxhohen nga njerëz të papërgjegjshëm të cilët po varfërojnë popullin dhe thellojnë krizën.”,- thuhet në komunikatën e Lëvizjes Besa.
 
Nga partia e Bilall Kasamit ripërsëritin nevojën për zgjedhje të parakohshme që institucionet të udhëhiqen nga njerëz të përgjegjshëm.
 
MERAL ISMAILI