Maqedoni
Interpelanca ndaj Xhaferit, ASh: Është skenar i BDI-së, nuk marrim pjesë
01.06.2022 17:00
Interpelanca e ngritur nga VMRO-DPMNE për kryeparlamentarin Talat Xhaferi...

Interpelanca e ngritur nga VMRO-DPMNE për kryeparlamentarin Talat Xhaferi, nga opozita shqiptare vlerësohet si lojë . Në “Argument” në TVM2, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, akuzuan madje se interpelanca është orkestruar nga BDI në bashkëpunim me VMRO-në, për përfitime politike e për të polarizuar opinionin në baza etnike.
“Ne nuk do të marrim pjesë në këta skenarë, do t’i demaskojmë deri në fund dhe do t’ua prishëm këtë lojë. Dhe tani VMRO-ja po bën një betejë me “Levicën” se cilat nga këto dy parti do ta godet më shumë Talat Xhaferin dhe BDI duke e ditur se këto me automatizëm do të përfitojnë nga ana tjetër, nxisin dhe inskenojnë situate të këtilla, madje edhe ia mundësojnë VMRO-DPMNE-së.”,- tha Arben Zeqiri nga ASh.
Lëvizja Besa: Përkrahim interpelancën, urgjent në zgjedhje
Për dallim nga ASh, Lëvizja Besa ishte shumë e qartë, ata do ta votojnë interpelancën dhe do të kontribuojnë në çdo skenar i cili do të mundëson që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Ne do ta përkrahim interpelancën, mirëpo normalisht që ato skenare të errëta që I përgatit BDI ne duhet të jemi syhapur që mos të biem preh e viktimizimit të tyre. Ato çdo veprim dhe reagim dhe prononcim të opozitës e paraqesin si skenar rus. Pra kjo na tangon neve, dhe ne jemi pro interpelancës ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi, dhe jemi pro shkuarjes së kësaj Qeverie një ditë e më parë, dhe ti jepet mundësia një përbërjes të re Qeveritare që të menaxhoj më mirë me të gjitha këto situata.”,- tha Faruk Avdiu nga Lëvizja Besa.
Përfaqësuesit e partive opozitare shqiptare e kanë të qartë se nëse votojnë pro interpelancës, BDI do t’i akuzojë që në bashkëpunim me “Levicën” dhe VMRO-DPMNE-në kanë votuar kundër shkarkimi të kryetarit shqiptar të Kuvendit.
FITIM KRYEZIU
