Prishtinë, gazetarët reagojnë për sulmin në “Charlie Hebdo”

08.01.2015 16:51

Në shenjë solidariteti me vrasjen e gazetarëve të revistës franceze, “Charlie Hebdo”, gazetarët nga Kosova janë tubuar në qendër të Prishtinës, për të ngritur zërin kundër këtij sulmi terrorist....

Nisma është marrë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj fjalës së lirë. Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve, Zekirja Shabani, tha se edhe gazetarët nga Kosova ndajnë dhimbjen me kolegët e tyre francezë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, vlerëson se sulmi i djeshëm dhe çfarëdo sulmi ndaj mediave dhe gazetarëve është një përpjekje e dështuar për ta mbytur median e lirë. Gazetarët do të vazhdojnë në përkrahje të njëri-tjetrit. Ta ngremë zërin për padrejtësitë dhe për të gjitha ato që ndodhin rreth nesh, do të vazhdojmë ta informojmë opinionin e gjerë”- deklaroi kryetari i Asociacionit të Gazetarëve, Zekirja Shabani.

E pranishme në këtë aktivitet ka qenë edhe zëvendësambasadorja franceze në Kosovë, e cila falënderoi gazetarët e Kosovës për mbështetjen. (Gyltene Sinani, TVM2)