Uashington, nis dialogu strategjik mes RMV-së dhe ShBA-së

02.06.2022 13:24

Marrëdhëniet dypalëshe në mes Shkupit dhe Uashingtonit....

Marrëdhëniet dypalëshe në mes Shkupit dhe Uashingtonit, por edhe çështjet e interesit global do të jenë në fokusin e dialogut strategjik në mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së që fillon sot në Uashington.

Vend të posaçëm në bisedimet do të kenë edhe temat nga fusha e bashkëpunimit rajonal, mbrojtjes dhe sigurisë, energjetikës, bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe investimeve, bashkëpunimit kulturor, si dhe çështje nga fusha e arsimit, zhvillimit demokratik dhe luftës kundër korrupsionit.

Në bisedime, njëkohësisht, do të flitet edhe për proceset euro-integruese të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, kryesimi i ardhshëm i vendit me OSBE-në në vitin 2023, si dhe për sfidat aktuale të sigurisë dhe implikimet e tyre ndaj sigurisë transatlantike.

Delegacioni qeveritar i përbërë nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojcevska, në kuadër të vizitës në Uashington dhe para fillimit të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, realizuan një numër të madh takimesh me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe personalitete të shoqërisë civile dhe think-thank organizata.

Në takimet e djeshme u shpreh kënaqësi për fillimin e dialogut strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, që paraqet hap të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale dhe avancimin e partneritetit strategjik.

Siç informon MPJ-ja, pas përfundimit të dialogut strategjik, do të miratohet Deklaratë e Përbashkët ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila do të riafirmojë përpjekjet e përbashkëta për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ndryshe, Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që fillon dialogun strategjik me SHBA-në.