Termometri shënoi sot -17 gradë celsius

08.01.2015 16:57

Mëngjesi i sotëm ka qenë ndër më të ftohtit, pasi temperatura ka zbritur deri në -17 gradë celsius..

Por, sinoptikanët thonë se prej nesër pritet që temperaturat të ngjiten për 2 deri në 3 gradë më lartë.         

“Gjatë vikendit do të kemi mot me temperatura pak më të larta krahasuar me ditët që lamë pas, me çka do të ketë shkrirje të borës, posaçërisht do të rriten temperaturat ditore deri në 14 gradë celsius. Nga e hëna priten reshje të shiut, ndërsa në vendet malore do të fryjë erë e fuqishme e shoqëruar me dëborë”- deklaroi sinoptikania, Konstadinka Arsovska.

Ulja e temperaturave dhe reshjet e borës shkaktuan vështirësi në furnizimin me energji elektrike, por nga Kompania Energjetike EVN bëjnë të ditur se edhe përkundër temperaturave të ulëta dhe vështirësitë për qarkullim në komunikacion, ekipet e tyre janë vazhdimisht në terren për të riparuar dhe intervenuar në kohë për evitimin e të gjitha defekteve eventuale.

“Natyrisht që ende kemi defekte në territorin e RM-së. Vende kritike mbesin ato të rajonit të Dibrës dhe Strugës, mirëpo ekipet e EVN-së janë në terren duke i sanuar problemet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Dje është sanuar dhe problemi në rajonin e Rekës, apo në Komunën e Mavrovës dhe asaj të Rostushës”- u shpreh zëdhënësja e EVN-së, Vlera Gjakova.     

Zëdhënësja Gjakova mohon se rrjeti i dobët është shkaktar i defekteve, por, sipas saj, ai shkaktohet nga mbingarkimi i trafostacioneve, prandaj apelon te qytetarët për shfrytëzim racional të energjisë.      

“Kemi apeluar tek të gjithë qytetarët që të mos bëjnë mbingarkim të rrjetit dhe të furnizohen sa më pak me energji elektrike në ngrohje, sepse nga mbingarkimi i madh kemi pasur edhe shkëputje të rrjetit distributiv”- tha Gjakova.   

Kujdes më i madh gjatë shfrytëzimit nevojitet sidomos në zonat ku së fundmi kishte defekte, theksojnë nga EVN. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)