Rritja e çmimeve, VMRO–DPMNE: Masat e qeverisë, të vonuara
VMRO–DPMNE vazhdon trysninë ndaj shumicës...

VMRO–DPMNE vazhdon trysninë ndaj shumicës për të mbështetur propozim ligjet e tyre për përballjen me krizën, pasi i vlerëson si të vonuara masat e paralajmëruara të qeverisë me rebalancin e buxhetit.
VMRO propozon që t’i vihet fund sikurse rritjes së akcizave si dhe çmimeve të produkteve ushqimore, me heqjen e TVSh-së për produktet deri në fund të vitit, ndërkaq akcizat të ulen në 5%.
“Nëse ne e presim qeverinë që t’i sjellë këto masa dhe të bind qytetarët, mendoj se jemi larg zgjidhjes së problemeve, pasi që qytetarët mezi ia dalin. Qeveria nëse konsideronte se duhet të vazhdon me masat anti-krizë, atëherë prej dje duhej të dilte me një pako të masave anti-krizë.”,- tha deputeti i VMRO–DPMNE–së, Nikolla Micevski.
ASh: Kërkesat mund t’i shkrijmë në amendamente
Aleanca për Shqiptarët adresoi kritika qeverisë për gjendjen e rënduar ekonomike. Kërkuan pranimin e propozimeve të tyre: ulje të akcizës si dhe TVSh-së në 5%, duke mos përjashtuar mundësinë që të njëjtat t’i shkrijnë në amendamente që të miratohen sa më shpejtë.
“Më datën 8 është paralajmëruar debati në komision për rishikimin e buxhetit, po e përmendi për arsye se këto kanë thënë që në rishikimin e buxhetit do të jenë masat anti-krizë. 10 ditë është debati në komisionin për financa dhe buxhet, 5 ditë është debati në seancën plenare, d.m.th. u bënë 15 ditë pune, edhe vikendet janë 21 ditë, por për kur janë ato masa? Qytetarët po i shohim në kolonat e gjata në pompat e benzinës, po i shohim rritjen e çmimeve edhe produkteve elementare ushqimore, vaji ka mbërritur 160 denarë, për kur ato masa?”,- theksoi deputeti i ASh-së, Elmi Aziri.
“E majta”: Mbështesim ligje për zbutjen e krizës
“E Majta” edhe pse nuk ka njohuri për detajet e propozimeve thotë se mbështesin ligjet që kanë për qëllim zbutjen e krizës.
“Inflacioni është tejet i lartë, dyshifror. Me çdo vajtje në market, ju thjesht tmerroheni nga çmimet. Nuk i kam parë propozimet, por mbështesim masa urgjente për uljen e krizës ekonomike.”,- u shpreh deputeti i së Majtës, Dimitar Apasiev.
Sipas të dhënave të LSM-së vlera e shportës minimale konsumuese për një familje katër anëtarëshe është 36 146 denarë, ndërkohë që rroga minimale është 18 mijë denarë, dhe një familje me të ardhura të tilla konsiderohet e varfër.
Sektori privat ende nuk i ka paguar plotësisht të punësuarit për muajin prill, ndërkaq mbi gjysma e pensionistëve marrin pensione nën pagën minimale. (Meral Ismaili, TVM2)
