Mbi 36 amendamente të pushtetit dhe opozitës

08.01.2015 17:15

Deputetët e Komisionit Kuvendor për Arsim dhe Shkencë, nesër do të diskutojnë për amendamentet e propozuara nga deputetët e shumicës parlamentare dhe opozitës për pakon e propozim-ligjeve të qeverisë për arsim....

Shumica parlamentare, BDI–VMRO-DPMNE, ka dorëzuar 34 amendamente, ndërsa PDSH-ja 32.

Deputeti i BDI-së, Ramiz Merko, vlerëson se amendamentet propozohen si përmbajtje të debateve dhe kërkesave të universiteteve, organizatave studentore dhe atyre joqeveritare në Maqedoni.

“Të gjitha këto për përfshirjen e sa më tepër kërkesave konstruktive në tekstin final. Qëllimi është që të kemi tekst të ligjeve që do të jenë të zbatueshëm dhe do të ndikojnë në cilësinë e arsimit fillor, të mesëm dhe atij universitar. Kemi deponuar bashkë me VMRO-DPMNE-në, si BDI rreth 34 amendamente, për të gjitha këto 7 ligje. Nëse jeni të interesuar vetëm për arsimin e lartë, aty kemi deponuar 13 amendamente, gjithmonë në suaza të kësaj që e thashë më sipër”- deklaroi deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.

Por, nga PDSH-ja deputeti, Bekim Fazliu, deklaroi se pakoja qeveritare e propozim-ligjeve për arsim më së shumti ka për qëllim të dëmtojë arsimin shqiptar. Përmes amendamenteve të saj, PDSH-ja propozon që në vend të studentëve me provimin shtetëror të përfshihen bartësit e të gjitha funksioneve publike, duke filluar nga presidenti i shtetit, kryeministri, krerët e partive politike dhe të tjerët.

“Problemet në arsim zgjidhen vetëm me autonomi të plotë të universiteteve dhe me një shtet ligjor, e jo me suprimim të autonomisë dhe me politizim, e aq më tepër jo me kontroll qeveritar. Duhet krijuar sistem kredibil akademik, e jo sistem të selektimit politik. Vlerësojmë se me anë të këtyre ligjeve i jepet goditja përfundimtare arsimit në gjuhën shqipe, që është strategji e kamotshme antishqiptare”- tha deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Nga PDSH-ja kërkojnë që të mbahet llogari edhe për përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në Këshillin për Akreditim.

Seanca e sotme u anulua me qëllim që deputetëve t’u jepet një mundësi shtesë për të dorëzuar sa më shumë amendamente për këto ndryshime ligjore. (Mefail Ismaili, TVM2)