Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, profesorët dalin në protesta paralajmëruese

02.06.2022 17:11

“Autonomia pa paga të dinjitetshme është iluzion”....

“Autonomia pa paga të dinjitetshme është iluzion”. Këtë mesazh e dërguan profesorët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në protestën paralajmëruese. Ata thonë se një kohë të gjatë kanë pasur mirëkuptim për gjendjen ekonomike në shtet, por sipas tyre, universiteti më i vjetër është lënë në harresë.

Sindikata kërkon nga kryeparlamentari Xhaferi dhe ministri Besimi, të nënshkruajnë marrëveshjen kolektive për rritjen e pagave të tyre të cilat janë më të ulëta në rajon.

“Kështu më nuk shkon. Propozimet për rritje minimale të pagave tona të paralajmëruara nga shtatori nuk i pranojmë. Kërkojmë që më në fund Qeveria të pranojë se arsimi dhe shkenca janë me rëndësi esenciale për të ardhmen e shtetit, kërkojmë që sa më shpejt të nënshkruajmë marrëveshjen kolektive për të cilën negociojmë më shumë se një vjet.”,- u shpreh kryetari i Sindikatës së Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Angell Ristov.

“Pa financim stabil të  arsimit,  shkencës dhe veprimtarisë hulumtuese nuk mund të ketë zhvillim ekonomik shoqëror dhe politik.”,- theksoi profesori universitar, Zoran Kitkanj.

Edhe senati dhe rektorati dhanë përkrahje për kërkesat e Sindikatat. Rektori Jankullovski tha se janë dorëzuar shkresa deri te Qeveria dhe Kuvendi ku thuhet se pagat në Universitete janë të ulëta.

“Paga e një profesori të rregullt në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” është 39 mijë deanrë flasim për pagë buxhetore, ndërsa nga ana tjetër të gjithë arsimtarët në rajon marrin paga minimale prej 1500 euro.”,- theksoi rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Nikolla Jankullovski.

Nëse nuk plotësohen kërkesat  e tyre, nga Sindikata paralajmëruan se do të shkojnë në protestë para Qeverisë dhe nuk përjashtohet mundësia të bojkotojnë sesionin e qershorit. (Flutura Latifi, TVM2)