Luftime të ashpra në lindje të Ukrainës

02.06.2022 17:30

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në rajonin e Donbassit.....

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në rajonin e Donbassit, rreth rrugës së fundit që të çon në Sievierodonetsk. Kjo është rruga që ukrainasit nuk duhet ta humbasin, sepse është e një rëndësie strategjike për marrjen e qytetit.

Rajoni është nën presion ekstrem sepse rusët vazhdojnë të përparojnë në Ukrainën lindore.

Severodonetsku, gati të bie në duart e rusëve

Severedonetskut është një nga bastionet e fundit që kontrollon Ukraina, në rajonin lindor të Luhanskut, nëse merret edhe ky qytet i gjithë Luhansku bie në duart e rusëve.

Guvernatori udhëton me makinë të blinduar sepse ai është objektiv i preferuar për rusët. Disa banorë tregojnë mbështetjen e tyre për trupat ruse. Në zonat e luftës kanë mbetur të ngujuar mbi 12.000 civil.

“Tani është e pamundur të shpallet një kolonë humanitare, e pamundur të shpallet një evakuim i civilëve në këtë rrugë, sepse makinat tona janë në shënjestër sistematike. Forcat e Kremlinit përpiqen të marrin Severodonetskun, por ne nuk dorëzohemi.”,- tha guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haydan.

Zelensky: Rusia pushtoi 20 për qind të territorit ukrainas

Presidenti Volodymyr Zelensky, njofton se forcat ruse aktualisht kanë pushtuar rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës dhe se vijat e para të betejës shtrihen në më shumë se 1000 kilometra.

“Ne duhet të mbrohemi kundër pothuajse të gjithë ushtrisë ruse. Të gjitha formacionet ushtarake ruse të gatshme luftarake janë të përfshira në këtë agresion. 100 ukrainas po vdesin çdo ditë në Ukrainën lindore dhe 450-500 të tjerë janë plagosur.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Luftime të ashpra po zhvillohen edhe në Donjetsk. Disa zona në këtë rajon janë nën sulme të vazhdueshme. Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit, njoftojnë autoritetet.

“Qytetet Bakhmut dhe Slovyansk janë nën bombardime të vazhdueshme. Trupat ruse gjithashtu po lëvizin përgjatë drejtimit Lyman-Izyum për të kapur territoret Sloviansk dhe Kramatorsk dhe autostrada nga Bakhmut në Lysychansk mbetet nën zjarrin e armikut.",- u shpreh kreu i Administratës Ushtarake të Donetskut, Pavlo Kyrylenko.

Luhansku dhe Donjetsku, janë dy zona me rëndësi strategjike, të shënjestruara nga Rusia  dhe këto dy zona bashkë -njihen si rajoni i Donbasit. 

Donetsku dhe Luhanski janë vetëshpallur si republika popullore Ruse por në fakt nuk janë të njohura ndërkombëtarisht si republika, ato janë zona ukrainase të kontrolluara nga grupe separatiste të armatosura dhe të mbështetura nga Rusia. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)