MPJ: Filloi dialogu strategjik me ShBA-në

02.06.2022 19:23

Filloi dialogu strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së.....

Filloi  dialogu strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së.  Hapja zyrtare u pasua me një seancë kushtuar nismave rajonale, e të cilën e udhëheq ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së bashku me ndihmës-sekretaren e shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.

Nga MPJ njoftuan se në fokus të bisedimeve ka qenë rëndësia e nismave rajonale për procesin e reformave të rëndësishme për shkak të  perspektivës integruese evropiane, pajtimin dhe stabilitetin e përgjithshëm në Ballkanin Perëndimor.

“Dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara është një kapitull i ri në marrëdhëniet tona të ndërsjella, i cili do të përmirësojë partneritetin tonë strategjik dhe do të vendosë një kornizë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve. Na bën veçanërisht krenarë që Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që e ruan këtë proces të rëndësishëm, i cili është një njohje e rolit tonë rajonal dhe një sinjal i qartë i miqësisë dhe aleancës së fortë mes dy vendeve.”,-  ka thënë ministri Osmani.

Ministri Osmani theksoi pjesëmarrjen aktive të RMV-së në një sërë iniciativash rajonale, si në Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur, Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Këshillin për Bashkëpunim Rajonal etj.

“Maqedonia e Veriut si nismëtare e Iniciativës 8 dhe B6 është një vend lider në nismat rajonale me vizion për përshpejtimin e proceseve reformuese, forcimin e integrimit ekonomik dhe përshpejtimin e proceseve integruese evropiane të Ballkanit Perëndimor. Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme për tejkalimin e dallimeve ndërmjet vendeve të rajonit dhe integrimin e tyre sa më shpejt në BE.”,- theksoi Osmani.

Në seancë u diskutua edhe për situatën aktuale të sigurisë, me një dënim të përbashkët të pushtimit ushtarak rus, si dhe mbështetjen për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Por, u dërgua edhe mesazh për fillimin sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim në familjen europiane. (Sanije Duraku, TVM2)