Reagime në Tiranë për sulmin terrorist
Sulmi terrorist ndaj revistës satirike franceze, “Charlie Hebdo”, është dënuar nga mbarë politika shqiptare...

Presidenti, Bujar Nishani, e ka nisur pritjen me gazetarët shqiptarë me një minutë heshtje për ata francezë që humbën jetën nga sulmi terrorist. Ai e ka dënuar sulmin, ndërsa ka deklaruar se duhet politika të shqetësohet kur media hesht dhe jo kur kritikon.
Ndërsa kryeministri, Edi Rama, i ka dërguar një letër ngushëllimi homologut të tij francez pas sulmit në ambientet e redaksisë së revistës satirike.
“Kjo është një plagë e hapur barbarisht për të tmerruar Francën, Evropën, popujt e lirë të botës sonë demokratike dhe për të na imponuar braktisjen e pamundur të vlerave të kësaj bote që Franca aq solemnisht i mishëron”- shkruhet në letrën e kryeministrit Rama drejtuar homologut, Manuel Valls.
Kryetari i Kuvendit nga ana tjetër ka ngushëlluar nëpërmjet një letre autoritetet franceze, duke deklaruar se autorët e këtij akti tepër të rëndë terrorist, që goditi penën dhe mendimin e lirë të gazetarëve dhe që ka tronditur mbarë njerëzimin, duhet të përballen me ndëshkimin maksimal.
Edhe ish-presidenti, Bamir Topi, u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave të kësaj masakre që tronditi mbarë botën. (Luljeta Ndoka, TVM2)
