Osmani- Blinken: Dialogu strategjik RMV- SHBA, kapitulli i ri partneriteti
Me një seancë kushtuar nismave rajonale....

Me një seancë kushtuar nismave rajonale, Maqedonia e Veriut nisi dje në Uashington dialogun strategjik me SHBA-të, duke u bërë kështu vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që fillon një dialog të tillë
Ministri i Jashtëme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës në Uashington, realizoi takim me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.
“Ky hap në marrëdhëniet bilaterale është një tjetër konfirmim i miqësisë së fortë dhe interesit të ndërsjellë për forcimin e aleancës mes dy vendeve”- tha Osmani.
Në takim u theksua se situata aktuale kërkon dinamikë të re në proceset eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të konfirmojë besueshmërinë e BE-së dhe do të inkurajojë proceset për tejkalimin e dallimeve dhe pajtimin në rajon.
“Procesi i zgjerimit të BE-së paraqet çështje sigurie, kurse perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe besueshmëria e këtij procesi janë thelbësore për stabilitetin rajonal dhe evropian. Jemi mirënjohës për mbështetjen e fuqishme amerikane për fillimin sa më të shpejtë të procesit të negociatave të Maqedonisë së Veriut, që aktualisht është mënyra më e mirë që të ruhet besueshmëria e këtyre proceseve,” tha Osmani.
