“Ballkani i Hapur”, Rashiti:Qëndrimi i Kosovës mbetet i pandryshuar

03.06.2022 18:08

Qëndrimi i Republikës së Kosovës karshi “Ballkanit të Hapur”....

Qëndrimi i Republikës së Kosovës karshi “Ballkanit të Hapur”, mbetet i pandryshuar të paktën në periudhë të afatshkurtë vlerëson, analisti politik Naim Rashiti, ndonëse ftesa nga kryeministri Dimitar Kovaçevski sipas tij përbën një befasi për të mirë.

Ai ka veçuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal por me kushte dhe simbole të barabarta në përfaqësimin e vendeve pjesëmarrëse.   

“Nuk shoh ndonjë ndryshim të shpejtë të këtij qëndrimi në raport me qëndrimin e Ballkanit të Hapur, megjithatë është për të mirë dhe befasi e mirë ftesa formale e kryeministrit të Maqedonisë për të marrë pjesë nuk e di në çfarë formati është ftuar, është ftuar në nivel të barabartë me simbole dhe përfaqësues si shtete të barabarta, por nëse po jam i bindur që qeveria e Kosovës do të kishte përfituar nëse shprehin gadishmërinë dhe vullnet për tu ulur në tryezën e Ballkanit të Hapur si vende të barabarta të të gjithë gjithë rajonit” – deklaroi analisti politik, Naim Rashiti.

Rashiti thotë në interes të Kosovës është që në çdo iniciativë apo format bashkëpunimi të përfaqësohet, por sipas tij, Kosova do të refuzojë të marrë  pjesë nëse nga vendet anëtare nuk sigurohet përfaqësimi i barabartë, sidomos nga Sërbia. 

“Është ende e paqartë çka nëse Kosova pranon të ulet në Ballkanin e Hapur si e barabartë si vendet tjera,  a do të pranohet nga Sërbia. Dyshimet janë se nuk do të pranohet apo do t’i kërkohet Kosovës të ulet me formën e asteriksit në formën e bashkëpunimit rajonal, këtu pastaj Kosova sigurisht nuk do të merrte pjesë” – u shpreh Rashiti.      

Tani për tani fokusi mbetet te Procesi i Berlinit për faktin se është themeluar dhe i udhëhequr nga BE-ja përkatësisht Gjermania në të cilin format që prej fillimit të gjitha vendet e ulen të barabarta  këtë tryezë nënvizon Rashiti. (Naim Ramadani, TVM2)