Maqedoni
Manastir: Digjet hyrja e qendrës "Ivan Mihajllov"
04.06.2022 15:18
Në orët e hershme të mëngjesit i ëshë vënë zjarri Qendrës Kulturore Bullgare "Ivan Mihajllov" në Manastir....

Në orët e hershme të mëngjesit i ëshë vënë zjarri Qendrës Kulturore Bullgare "Ivan Mihajllov" në Manastir. Lupço Georgievski , drejtor i kësaj qendreje ka thënë se, nuk janë shënuar dëme brenda objektit, por vetëm në pjesën e hyrjes, pasi që njësiti zjarrfikës ka vepruar me kohë.
Osmani: Delegacioni bullgar në Shkup, akti me qëllim
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se ekipi inspektues i sektorit për punë të brendshme në Manastir, në koordinim me prokurorinë publike kujdestare, kanë kryer kontrollin dhe po ndërmarrin masa për zbardhjen e rastit. Rasti nuk ka ndodhur rastësisht thotë ministri i jashtëm Bujar Osmani. Sipas tij vepra është kryer pikërisht kur në Shkup po qëndron në vizitë dyditore delegacioni bullgar në krye me ministren e jashtme Teodora Gençovska, për të adresuar çështjet e hapura bilaterale si dhe temat lidhur me procesin eurointegrues të vendit.
“Më lejoni ta dënoj ashpër djegien e qëllimshme të hyrjes së shoqatës "Ivan Mihajllov" në Manastir. Ky sulm vandal është edhe një dëshmi se ka shumë aktorë që janë kundër arritjes së progresit në raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë si dhe ardhmërisë sonë evropiane. Ky krim nuk është kryer rastësisht në këtë ditë, kur dy vendet do të kenë dialog për të tejkaluar çështjet e hapura në rrugën e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut.”, tha ministër i jashtëm Bujar Osmani.
Kovaçevski dhe Pendarovski: Tentohet prishja e raporteve me Sofjen
Ka reaguar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai ka bërë thirrje për ruajten e qetësisë dhe dinjitetit tek qytetarët,ndërsa kërkon nga institucionet që të merren me kryerësit e veprës.
“E dënoj djegjen e objektit të Qendrës së bashkësisë bullgare në Manastir. Në Shekullin 21 me djegje dhe shkrumbim nuk arrihet asgjë. Kam dhënë udhëzime të qarta institucioneve kompetente për zbardhjen e menjëhershme të rastit. Provokime të tilla nxitëse kanë për qëllim prishjen e marrëdhënieve mes popullit maqedonas dhe bullgar. Andaj u bëj thirrje të gjithëve që të qëndrojmë të qetë dhe dinjitoz dhe me autorët do të merren institucionet.”, thekson kryemisnitri Kovaçevski.
Reagim edhe nga Presidenti i vendit Stevo Pendarovski.
“Dënoj ashpër djegien e objektit të qendrës kulturore të bashkësisë bullgare në Manastir. Akte të tilla janë provokim dhe nuk shkojnë në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Bullgarinë. U bëj thirrje institucioneve kompetente që të bëjnë një hetim të shpejtë dhe të detajuar, të marrin të gjitha masat e nevojshme, për të identifikuar dhe sanksionuar autorët.”, thuhet në reagimin e presidentit Pendarovski.
Jotova: Djegja e qendrës kulturore bullgare provokim
Reagime edhe në Sofje. Djegia e Qendrës së Kulturës “Ivan Mihajllov” në Manastir është një tjetër provokim dhe pjesë e fushatës masive antibullgare që filloi menjëherë pas hapjes së klubit, ka shkruar në Facebook nënpresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova. Sipas nën presidentes bullgare, në hapjen e kësaj qendre një muaj më parë, ku mori pjesë një delegacion i madh bullgar, u konstatua se funksioni i vetëm është ruajtja e kulturës dhe identitetit bullgar tek bullgarët në Maqedoninë e Veriut.
“Vetëm veprimet e shpejta të institucioneve kompetente në kohën më të shkurtër të mundshme për identifikimin e autorëve do të dëshmojnë se fqinji ynë perëndimor respekton të drejtat e bullgarëve, por edhe të të gjitha kombësive të tjera.”, thekson nënpresidentja bullgare Jotova.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
