Gazetarët në Maqedoni dënojnë sulmin në Paris

08.01.2015 18:55

Komuniteti i gazetarëve në Maqedoni është shprehur i befasuar nga ajo çfarë ka ndodhur dje në Redaksinë “Sharl Ebdo” në Paris...

Ata kanë dënuar ashpër vrasjen makabre të gazetarëve, duke e cilësuar aktin si barbarë dhe krim për lirinë e shprehjes. Dhjetëra gazetarë, por edhe qytetarë të tjerë, u nënshkruan në librin e hapur në Ambasadën Franceze në Shkup për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Francë.

“Kjo është një ditë e pikëlluar për të gjithë gazetarët dhe botën e lirë. Dje nuk kishte orvatje për ta vrarë lirinë e shprehjes, por kishte një orvatje për ta frikësuar botën e lirë. Ne besojmë se ideja për liri do të fitojë kundrejt barbarizmit”- deklaroi kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani.

“Kjo që ndodhi në Paris me të vërtetë është një akt barbar, i cili të gjithë ne na shokoi dhe për momentin na la pa fjalë për ta gjykuar.  Është për të ardhur keq se pas qindra viteve nga Revolucioni Francez akoma duhet orvatje për liri. Ne mbetemi në mbështetje të kolegëve tanë francez”- u shpreh Tamara Çaushidis nga Sindikata e Gazetarëve.

Ambasadorja e Francës, Lorens Oer, në Shkup tha se sulmuesit kanë dashur ta frikësojnë mendimin e lirë.

“Duke sulmuar “Sharl Ebdo” për shkak të qëndrimeve të saj, sulmuesit duan që të na frikësojnë, të ngrinë mendimin tonë që ta lëshojmë sot idenë për lirinë dhe nesër idenë për demokracinë. Ne nuk e pranojmë këtë barbarizëm, ne asnjëherë nuk do të gjunjëzohemi para jotolerancës, para terrorizmit”- tha ambasadorja e Francës, Lorens Oer.

Për shkak të viktimave të Redaksisë “Sharl Ebdo”, Franca sot ka shpallur ditë zie kombëtare në vend dhe në të gjitha përfaqësitë konsullore franceze. (Naim Ramadani, TVM2)