Maqedoni
Enti Shtetëror i Statistikës: Në RMV 36% e banesave janë të pa banuara
05.06.2022 13:17
Nga gjithsej 839 174 banesa ose shtëpi banimi, 531 987 ose 63,4 për qind janë të banuar...

Nga gjithsej 839 174 banesa ose shtëpi banimi, 531 987 ose 63,4 për qind janë të banuar, ndërsa 307, 187 ose 36,6 për qind janë të pabanuara, thuhet në pjesën e tretë të publikuar nga Enti i Statistikës nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesavе.
Sipas rajoneve më së shumti banesa të zbrazëta ka në rajonin jugperëndimor ku nga gjithsej 51 348 banesa më shumë se gjysma janë të pabanuara. Më së paku banesa të zbrazëta ka në Rajonin e Shkupit, ku nga 243 252 banesa, 29 për qind janë të zbrazëta ose 70 094. Nga komunat e Shkupit më së shumti banesa të zbrazëta ka Qendra – 10 865 ose mbi 40 për qind nga numri i përgjithshëm, e më së paku banesa të zbrazëta ka Çairi – 22,5 për qind nga gjithsej 17 771 banesa.
Brenda 20 vitesh në Qendër numri i banesave është rritur për mbi 30 për qind, derisa në Çair për 3,62 për qind. Në vend zyrtarisht ka 34 qytete. Prej tyre tetë janë qytete të mëdha me mbi 50 mijë banorë, 18 janë të mes 10 dhe 50 mijë banorë dhe tetë janë qytetet të vogla me më pak se 10 mijë banorë. Një e treta e banesavе në të gjitha qytetet e mëdha në vend janë të zbrazëta.
Kumanova, që është qyteti i dytë për nga madhësia në vend me 98 104 banorë ka rreth 12,5 mijë banesa të zbrazëta ose 33 për qind të numrit të përgjithshëm. Manastiri, me 85 164 banorë është qyteti i tretë për nga madhësia në vend dhe ka mbi 16 mijë banesa të zbrazëta ose 36,7 për qind. Në Tetovë me 84 770 banorë, ka 9 747 banesa të zbrazëta ose 32,3 për qind, Prilepi me 69 025 banorë, ka mbi 11 mijë banesa të zbrazëta ose 33,5 për qind, Gostivari me 59 770 banorë ka mbi 12 mijë banesa të zbrazëta ose 44 për qind, Ohri me 51 428 banorë ka 17 820 banesa të zbrazëta ose 53 për qind, Struga me 50 980 banorë ka mbi 10 mijë banesa të zbrazëta ose 45 për qind të numrit të përgjithshëm të banesavе të pabanuara. Në Kërçovë nga 39 669 banorë, ka 13 mijë banesa të zbrazëta. Rajoni i Shkupit ka 607 007 banorë dhe 243 252 banesa, nga të cilat 70 094 ose 29 për qind janë të zbrazëta. Derisa vetëm Qyteti i Shkupit ka 526 502 banorë dhe 213 850 banesa, nga të cilat 27,7 për qind janë të pabanuara.
Më së shumti banesa të zbrazëta ka Komuna e Sopishtit, ku 60 për qind nga gjithsej 4 214 banesa janë të zbrazëta, derisa më së paku banesa të zbrazëta ka Haraçina, ku vetëm 578 shtëpi banimi ose 20,5 për qind janë të pabanuara. Në 20 vitet e fundit numri i banesavе në vend është rritur për 22,5 për qind.
NAIM SINANI
