Ekonomi

Besimi: Në rrethana të rritjes së çmimeve, masat të targetuara për kategoritë e ndjeshme

05.06.2022 15:08

Minsitri i financave Fatmir Besimi paralajmëron se në rrethana të rritjes së vazhdueshme të çmimeve...

Minsitri i financave Fatmir Besimi paralajmëron se në rrethana të rritjes së vazhdueshme të çmimeve, do të ndërmerren masa të destinuara, për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve që ata ta tejkalojnë krizën. 
 
“Ato të jenë të përkohshme që të mos shkelen përgjithmonë parimet e tregut. Gjithçka tjetër, vetëm se mund ta përkeqësojë situatën, sepse me injektimin e likuiditetit shtesë në rast të ofertës së pamjaftueshme, që ndër të tjera kushtëzohet edhe nga inputet e importit, do të bëjë vetëm presion shtesë në rritjen e çmimeve. Ky është pikërisht modeli që do të zbatojmë në të ardhmen dhe rekomandohet nga Komisioni Evropian dhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja.”, shkruan në kolumnën e tij, dedikuar SEFF 2022 dhe rritjes së qëndrueshme në kohë krize, ministri i Financave, Fatmir Besimi. 
 
Ai më tej shpjegon se pakoja e parë e masave u destiua në amortizimin e goditjeve të para të fuqishme ndaj krizës, si parandalimi i goditjes së çmimeve dhe rritjes spekulative të çmimeve, duke ndaluar kështu presionet inflacioniste për të parandaluar norma më të larta të inflacionit.
 
“Lirimet tatimore u realizuan në kombinim me masat për ngrirjen e çmimeve dhe marzheve të produkteve. Vlera e masave të zbatuara deri më tani për ta luftuar krizën e çmimeve dhe atë energjetike është rreth 615 milionë euro, që paraqet një prej stimujve më të lartë fiskalë të akorduar në rajon.”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.
 
Besimi: Me rishikimin e buxhetit, 76 milion euro për masa antikrizë
 
Besimi thot se përkujdesi për qytetarët dhe ekonominë do të vazhdojë. 
 
“Me anë të rishikimit parashihen rreth 76 milionë euro për masat antikrizë, si dhe subvencione për rritjen e pagës minimale, mjete të konsiderueshme shtesë për subvencione për bujqit – me qëllim të rritjes së rendimenteve, si dhe mjete për rritjen e pensioneve dhe rritjen e transfertave për të ardhurat e garantuara minimale, si dhe rritje të pagave në një pjesë të konsiderueshme të sektorit publik, arsimit, shëndetësisë, gjyqësorit, prokurorisë, policisë dhe ushtrisë.”, tha Besimi.  
 
Besimi thot se politika fiskale duhet dhe do të orientohet në rritjen e qëndrueshme dhe konsolidimin fiskal si dhe zbatimin e ndryshimeve strukturore, sepse vetëm  ekonomia stabile mund të gjenerojë rritje të qëndrueshme, prandaj ndryshimet strukturore janë të domosdoshme për të arritur norma më të larta të rritjes ekonomike. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU