Maqedoni

Masat e paralajmëruara antikrizë, Baush: Duhet strategji, jo masa me efekt sezonal

05.06.2022 17:03

Me skadimin e masave anti-krizë i menjëhershëm ka qenë reagimi në çmime....

Me skadimin e masave anti-krizë i menjëhershëm ka qenë reagimi në çmime. Ekonomisti Abil Baush vlerëson se qeveria duhe të dalë me një plan strategjik afatgjatë për përballje me krizën globale ekonomike, e jo të hartojë masa që do të japin efekt sezonal. Një mënyrë sipas tij është edhe tatimimi më i madh i bizneseve që rrisin çmimet. Megjithatë Baush pret stabilizim të çmimit nga vjeshta. 
 
“Qeveria ato biznese të cilat bëjnë rritje të çmimeve të fillon të vendos një tatim më të lartë të profitit që mandej të mund t’i menaxhojë këto para të cilat pastaj do të mund t’i marrënga tatimet e këtyre bizneseve. Nga ribalanci i buxhetit nuk pamë se mund t’u ndihmohet bizneseve, por nga ana tjetër qytetarët do të presin kështu rritje të çmimeve deri në momentin kur do të fitohet një stabilitet ekonomik që pritet diku kah shtatori tetori nëse paramentrat ekonomik mbesin kështu në nivel global gjithmonë flasim.”, tha eksperti ekonomik Abil Baush.
 
Aktivizimi i rezervave shtetërore, Baush: Duhen kërkuar edhe tregje alternativë
 
Ekonomisti Baush në lidhje me kërkesat e kompanive për aktivizimin e rezervave shtetërore tha se duhet analizuar mirë situata. Por, sipas tij më parimore duhej të ishte gjetja e tregjeve të reja të furnizimit. 
 
“Nuk e dimë kjo krizë deri kur do të vazhdojë dhe si do të vazhdojë. Për momentin unë mendoj se më mirë është që të kërkojmë tregje të reja për furnizimin me drithë, sepse ky problem nuk zgjedhet vetëm me rezervat e mallrave, por ky problem duhet të zgjidhet në një kontiunitet dhe në një periudhë afatmesme dhe afatshkurte. Nuk mundet ne të varemi vetëm prej rezervave shtetërore.”, tha Baush.
 
Edhe pse në pjesën e dytë të vitit pritet rritje e çmimit të energjisë elektrike, megjithatë Baush tha se deri atëherë shtetert do të adaptohen kushteve të krizës ekonomike dhe nuk pret që të ketë goditje të reja të çmimeve.
 
ERSAN PAJAZITI