Maqedoni

Interpelanca ndaj Xhaferit, Musliu: VMRO tenton të promovojë idetë politike

05.06.2022 17:27

Interpelanca e ngritur kundër kryeparlamentarit Talat Xhaferi

Interpelanca e ngritur kundër kryeparlamentarit Talat Xhaferi është më shumë politike se sa e argumentuar, vlerëson analisti politik Albert Musliu. Sipas tij VMRO–DPMNE pretendon vetëm të risë rejtingun politik dhe interpelanca do dështojë në mungesë të 61 votave.
 
“Nuk është interpelanca e parë të cilën VMRO–DPMNE e inicon edhe zakonisht e përdor për promovimin e ideve të saja politike, jo se ajo të cilën e inicon lidhur me zotin Xhaferi është e asaj peshe që duhet të bëhet interpelancë në parlament. Zoti Xhaferi është njëri ndër kryeparlamentarët i cili më shumë është kujdesur si për interesat ashtu edhe për rrethanat e punës të deputetëve, për ngirtjen e imazhit të parlamentit edhe pozitës së parlamentit në shoqëri, ashtu që mendoj se edhe nëse bëhet interpelanca, ajo seancë do të jetë një dëshmi e sulmeve më shumë politike, se sa sulmeve të argumentuara.”, tha Analisti Politik Albert Musliu.
 
Musliu: Nëse dështon, VMRO heq dorë nga zgjedhjet
 
VMRO–DPMNE në vazhdimësi këmbëngul që kuvendi të shpërbëhet dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Se sa interpelanca mund të jetë një element e këtij mozaiku, Musliu spjegon se është një tentim I dështuar pasi edhe për zgjedhje nevojiten shumica e votave.
 
“Zgjedhjet parlamentare shpallen me numër shumicë të deputetëve. Nëse VMRO–DPMNE nuk arrin ta siguroj shumicën për realizimin e interpelancës ndaj zotit Xhaferi, atëherë nuk besoj se do të insistoj në zgjedhje të parakohshme, së paku s’do duhet, pasiqë siç iu thash për të shpallur zgjedhjet e parakohshme prap se prap duhen 61 deputetë.”, tha Musliu.
 
Interpelanca e VMRO–DPMNE-së tanimë për disa ditë është në duart e Xhaferit. Nga kabineti i tij kanë njoftuar se seancën për interpelancë do ta thërasin në përputhje me rregulloren, pas 15 ditëve, pasi Xhaferi t’u adresojë përgjigje deputetëve. Sipas nenit 49 të rregullores, shqyrtimi i interpelancës zgjatë një ditë, derisa të gjithë deputetët e paraqitur marrin fjalën. Mbështetje ndaj interpelancës do të japin edhe dy deputetët e Së Majtës. Paknaqësi ndaj punës së kryeparlamentarit kanë shprehur edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Deputetët e LSDM-së dhe BDI-së disa here i kanë dalë në mbështetje kryeparlamentarit duke hedhur dyshime për mos largimin e Xhaferit nga detyra.
 
MERALE ISMAILI