Putin riktheu sulmet në Kiev, Zelensky i vendosur: Çlirojmë të gjitha qytetet

06.06.2022 10:59

Rusia po rrit presionin ndaj Ukrainës...

Rusia po rrit presionin ndaj Ukrainës duke qëlluar me raketa Kievin dhe me kërcënime të reja të kreut të Kremlinit, Vladimir Putin.

Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi se do të ashpërsojë sulmet e rënda ndaj Ukrainës, nëse ajo furnizohet me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi. “Qëllimi i dërgimit të armëve perëndimore është që ta zgjasin sa më shumë konfliktin në Ukrainë”, tha Putini në një intervistë për televizionin shtetëror “Rosiya 1”. 

Sa u përket njoftimeve nga SHBA-ja për furnizim të Ukrainës me raketahedhës shumëfishësh ultramodernë të tipit Himars, kreu i Kremlinit reagoi i shpenguar, duke thënë se për Ukrainën kjo nuk ndryshon asgjë thelbësore në shpërndarjen e forcave.

Por pavarësisht sulmeve të djeshme në Kiev, kërcënimeve të Putinit dhe  faktit që tashmë disa qytete në lindje janë nën kontrollin rus, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është shprehur i bindur se ushtria do ta çlirojë të gjithë territorin e Ukrainës.