Botë

Ishulli i Sazanit në flakë, shkrumbohet bimësia, rrezik municionet ushtarake

06.06.2022 17:02

Prej mbrëmjes së të premtes, ishulli i Sazanit është në flakë...

Prej mbrëmjes së të premtes, ishulli i Sazanit është në flakë. Sipërfaqe të tëra me pisha shekullore dhe bimësi janë shkrumbuar.
 
Ndërsa bimësia shkrumbohet, rreziku është tek municionet ushtarake që ndodhen pranë vatrës së zjarrit tre predha të pa plasura, ndërsa janë dëgjuar edhe shpërthime. Në terren janë angazhuar mbi 90 efektivë të ushtrisë dhe punonjës të Zonave të Mbrojtura, të cilët po hasin vështirësi, për shkak të terrenit dhe bimësisë së dendur.
 
Ministri Mbrojtjes Niko Peleshi, me disa postime në rrjetet sociale, thotë se teknika më efikase është izolimi i zjarrit në terren duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës. Duke shpërndarë pamjet nga ajri dhe statusin e ministrit, kryeministri Edi Rama dha një reagim më të ashpër për kritikët ndaj reagimit të autoriteteve.
 
“Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikoptera me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe...”, tha kryeministri Edi Rama.
 
Baza ushtarake e Sazanit është çmontuar prej 3 dekadash por aty dyshohet se ka granata e municione të tjera që kanë mbetur nga koha e komunizmit.
 
LULJETA NDOKA