Maqedoni

Likovë, përkujtohet “Beteja e Mateçit” e vitit 2001

06.06.2022 18:57

Në fshatin Hotël të komunës së Likovës, me një tubim përkujtimorë, u përkujtua Beteja e Mateçit...

Në fshatin Hotël të komunës së Likovës, me një tubim përkujtimorë, u përkujtua Beteja e Mateçit dhe çlirimi i saj gjatë konfliktit të vitit 2001, njëkohësisht u përkujtuan edhe dëshmorët e rënë në altarin e lirisë po më 6 Qershor të 2001-shit, Isa Ameti, Labinot Krasniqi dhe Faik Ibrahimi.
 
“Çmimi i qëndresës ishte i shtrenjtë, sepse ranë dëshmorë më të mirët e kombit, kjo i dha një hov bashkëluftëtarëve që të ngriteshin edhe më të fortë sepse shoku i rënë për liri ishte amanet për të fituar lirinië. 11 ditë të lavdishme nga ato që shkruhen nëpër libra, shkronja të mbushura me gjakë e plumba luftë ballë për ballë ku trimëria triumfonte, kjo ishte beteja e Batalionit të tretë me bazë në fshatin Hotël që i bashkoi ata që dolën mbi frikën.”, tha para të pranishmëve vajza e dëshmorit Isa Ameti, Bjondina Ameti.
 
“Sot, është një ditë e dhimbjes por është edhe ditë e krenarisë. Të flasësh për luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtrare dhe për betejën e Mateçit është një histori më vete.”, tha kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
 
Në fund të tubimit të gjithë të pranishmit vendosën kurora lule dhe bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në fshatin Hotël, të rënë gjatë luftimieve të vitit 2001.
 
FATLUM AQIFI