Prajs: Me ndalimin e fluturimit të Lavrovit, RMV respektoi obligimet ndaj NATO-s

07.06.2022 13:56

Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Mali i Zi....

Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Mali i Zi, me vendimin për t’i ndaluar fluturimin shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, drejt Beogradit, kanë vendosur që si shtete të pavarura të respektojnë obligimet ndaj NATO-s dhe qëndrimet e BE-së.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit Shtetëror, Ned Prajs, i cili sa i përket kërcënimit të mundur rus ndaj këtyre vendeve theksoi se “tre vendet janë anëtare të NATO-s, ndërsa përkushtimi i nenit 5 lidhur me të gjitha vendet është obligues”.

“Ato ishin vendime të pavarura të cilat kishin të bënin me hapësirën ajrore të tre shteteve sovrane. Ato e paraqesin angazhimin evropian që Rusia të mbahet përgjegjëse për agresionin e paprovokuar dhe të padrejtë ndaj Ukrainës. Këto tre vende janë anëtare të NATO-s dhe obligimi nga neni 5 për të gjitha ato është obligues. Së bashku e festuam pesë vjetorin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe dy vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.”,- tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan, Ned Prajs.

SHBA-të njëherit i bënë thirrje edhe Serbisë të fokusohet në qëllimin e saj për anëtarësim në BE, duke e përfshirë edhe harmonizimin e politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me pjesën tjetër të Evropës.

Ndërsa Kremlini ka qenë i ashpër në reagime, duke vlerësuar se mbyllja e hapësirës ajrore ka qenë “veprim armiqësor”. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)