Maqedoni

Spasovski: Pensionohen 870 të punësuar, 600 policët e rinj pa implikim buxhetor

07.06.2022 14:22

Kriza ekonomike dhe siguria janë dy çështje të ndryshme vlerëson minsitri i brendëshëm Oliver Spasovski...

Kriza ekonomike dhe siguria janë dy çështje të ndryshme, vlerëson ministri i brendshëm Oliver Spasovski, i cili duke komentuar konkursin për punësimin e 600 policëve të rinj, bëri të ditur se këtë vit do të pensionohen mbi 800 të punësuar në MPB. Punësimit e reja nuk do të kenë kurrfarë implikimi buxhetor, tha Spasovski. 
 
“Nëse nuk ka siguri, nuk do të ketë as zhvillim ekonomik. Në çfarëdo rrethanash secili nga ne e parashtron në pjesën e sigurisë. Nëse diçka ndodh në komunikacion, nëse ka vjedhje, apo çfarëdo vepre penale, secili nga ne i drejtohet policisë. Mungesa e zyrtarëve policorë nuk mund të kompensohet me asgjë. Këtë vit pensionohen rreth 870 persona në MPB, ndërsa ne punësojmë vetëm 600.”,- tha ministri  Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Njëherit Spasovski nga Ohri bëri të ditur se MPB po ndërmerr masa paraprake për mbarëvajtjen e sezonit turistik në Ohër dhe Strugë. 
 
“Do të rritet frekuentimi, do të rritet numri i ngjarjeve që do të mbahen edhe këtu në Ohër edhe në Strugë, prandaj do të kemi qasje më ndryshe edhe në nivel të MPB-së edhe të sektorit të punëve të brendshme.”,- tha Spasovski.
 
Në pesë muajt e parë të këtij viti, sektori i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Ohër ka arritur rezultate të mira, vlerësoi ministri Spasovski. Sipas tij, krahasuar me një vit më parë, është regjistruar zvogëlim i veprave penale në këtë rajon, ka pasur rritje të efikasitetit të punës së policisë për 10%, ndërsa është ulur edhe numri i fatkeqësive në komunikacion. 

GYLTENE SINANI