Shaqiri: Në shtator rriten rrogat e arsimtarëve për 15%

07.06.2022 14:51

Të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm.....

Të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm në vend do të marrin paga më të larta për 15 për qind nga shtatori, tha ministri i arsimit, Jeton Shaqiri. Ai sqaroi se po pritet miratimi i rebalancit të buxhetit që të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare.

“Presim të kalojë rebalanci i buxhetit për të përgatitur informacion në Qeveri, për të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare për 15%. Bisedimet kanë marrëveshje të nënshkruar, janë dakorduar të gjitha çështjet me SAShK-un dhe pres të jetë gjithçka në rregull, të kalojë rebalanci, që nga shtatori të kemi rroga më të lartë në arsimin fillor dhe të mesëm.”,- deklaroi Jeton Shaqiri nga MASh.

Sa i përket provimit të parë të maturës shtetërore të cilit iu nënshtruan rreth 16 mijë maturantë më 4 qershor, Shaqiri tha se gjithçka ka shkuar në rregull dhe sa më parë që të jetë e mundur priten rezultatet nga qendra e provimeve.

Provimi i dytë ekstern i maturës shtetërore do të mbahet më 13 qershor me fillim në orën 10. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)