Makron i gatshëm të ndërmjetësojë, Petkov: Nuk bëjmë asgjë nën presion

07.06.2022 15:10

Presidenti francez, Emanuel Makron....

Presidenti francez, Emanuel Makron, ka shprehur gatishmërinë të ndërmjetësojë një takim mes zyrtarëve në Shkup dhe Sofje për arritjen e marrëveshjes. Këtë presidenti francez e ka theksuar në bisedat telefonike me kryeministrin Kovaçevski dhe presidentin bullgar Radev.

Makron ka shprehur përkrahjen e tij për marrëveshje mes palëve, e cila do të mundësonte fillimin e bisedimeve për anëtarësim të RMV-së në BE.

Por, kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka deklaruar se Bullgari nuk do të bëjë asgjë nën presion ndërkombëtar për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Nuk bëhet fjalë për presion politik. E gjithë korniza që dikush po na bën presion, ndërsa ne a do të bëjmë diçka nën presion – nuk do të bëjmë asgjë nën presion. Kjo duhet të jetë absolutisht e qartë për të gjithë popullin bullgar. Ajo që po bëjmë është të shohim nëse dëshirat dhe nevojat bullgare për mbështetjen e bullgarëve në RMV mund të garantohen përmes procesit evropian. Do t’ia lë Ministrisë së Jashtme, sepse janë duke negociuar tani.”,- tha kryeministri bullgar, Kiril Petkov.

Akademikët në RMV: Historia të ndahet nga integrimet

Ndërkohë, akademikët e vendit kanë kërkuar që bisedimet për historinë të ndahen nga procesi i anëtarësimit të vendit në BE, sepse ato mund të zgjasin edhe me dekada.

“Bisedimet historike dhe puna e komisionit duhet të mbetet jashtë nga procesi politik. Këto janë mosmarrëveshje bilaterale të historisë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë dhe këto duhet të jenë jashtë procesit politik. Bisedimet për mosmarrëveshjet historike mund të zgjasin edhe me dekada. Kur flitet për integrimin e Maqedonisë në korniza të Bashkimit Evropian atëherë e kaluara e cila endë është në konflikt me Bullgarinë mund të themi se  vetëm që e ngadalëson këtë proces.”,- deklaroi akademiku Dragi Gjorgjiev.

“Vetoja e cila që nga fillimet u kërkua që të ketë ndonjë bazë reale dhe ta gjejë atë bazë, në fund u shndërrua në pyetje për pranimin në kushtetutën maqedonase në preambulë të qytetarëve të cilët janë pjesë e popullit bullgar. Një pyetje jolegjitime ku duhet të ngrihet iniciativa dhe të ndërmarrim vendim përkatëse me procedurë të përshkruar kushtetuese.”,- theksoi akademiku Vlado Kambovski.

Bisedimet për çështjet të hapura me Bullgarinë aktualisht vazhdojnë në kuadër të ministrive të punëve të jashtme. (Gazmend Rexhepi, TVM2)