Maqedoni
Inflacioni, VMRO: Paga 20 mijë denarë e barabartë me 10 mijë
07.06.2022 15:30
VMRO-DPMNE ka ngritur shqetësime për rritje prej 100% të produkte ushqimore dhe inflacion të thellë në vend...

VMRO-DPMNE ka ngritur shqetësime për rritje prej 100% të produkte ushqimore dhe inflacion të thellë në vend. Paga prej 20 mijë denarëve ka të njëjtën vlerë sikurse paga e 10 mijë denarëve vitin e shkuar, thotë zëdhënësja e partisë, Marija Miteva. Sipas saj, çmimet kanë prekur tavanin dhe faj mbartin jo vetëm tregtarët, por edhe vetë qeveria.
“Produktet bazë të patjetërsueshme për t’u ushqyer një familje, tani janë me çmim të dyfishtë për dallim nga një vit më parë. Pse është fajtore qeveria? Për arsyen se Maqedonia në vitin 2016 ka prodhuar mjaftueshëm grurë për nevojat e brendshme, ndërkaq tani nuk ka dhe importon mbi 60 mijë ton në vit. Kjo ndikon në çmimin e miellit dhe bukës.”,- tha zëdhënësja e VMRO–DPMNE-së, Marija Miteva.
LSDM: Partia e Mickovskit - sinonim i krimit
Nga LSDM kundërpërgjigjen duke i kërkuar VMRO–së që të shesë pllakat e dyshemeve të pallatit të bardhë në vlerë prej 100 mijë eurosh dhe paratë t’i kthejë tek qytetarët në këto kohëra krize.
“VMRO-DPMNE është sinonim i krimit dhe korrupsionit, e cila për 11 vite qeverisje u bë më e pasura në Europë. Tani asnjë nga kryetarët e komunave të VMRO–DPMNE–së nuk ndanë asnjë denarë ndihmë për qytetarët, por shpenzuan miliona euro për punësime partiake dhe furnizime me automobilë të shtrenjtë, kompjuterë dhe celularë.”,- akuzojnë socialdemokratët.
Sipas LSDM-së, VMRO s’mund të ofrojë asgjë tjetër përpos mbrojtjes së krimit, lajmeve të rreme dhe bllokadave.
MERAL ISMAILI
MERAL ISMAILI
