Luftime në Lindje të Ukrainës, Severodonetsku dhe Lisiçansku qytete fantazmash
Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në lindje të Ukrainës....

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në lindje të Ukrainës. Zonat më të nxehta të konfliktit janë qytetet Severodonetsk dhe Lisiçansk, për të cilat Rusia pretendon se i ka nën kontroll të plotë. Të gjitha qytetet e rajonin Donbas janë gati të bien në duart e rusëve.
"Një pjesë e konsiderueshme e Republikave Popullore të Donetskut dhe Luhanskut përgjatë bregut të majtë të Seversky Donets është çliruar. Trupat tanë vazhdojnë të vënë nën kontroll zonën industriale të Sievierodonetskut dhe lokalitetet përreth. Gjithashtu ushtria po zhvillon ofensivën në drejtim të Popasnaya. Në tërësi, 97 për qind e territorit të Republikës Popullore të Luhanskut është çliruar deri më sot.”,- tha ministri rus i mbrojtjes, Sergey Shoigu.
Zelenski: Nuk kemi mjaftueshëm armatim
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ukrainase janë duke luftuar ende në Severodonjeck, pavarësisht se ushtria ruse përparon, sepse ka më shumë trupa dhe armatim.
“Ata janë më shumë në numër, janë më të fuqishëm, mirëpo ne kemi mundësi të luftojmë. Luftimet e ashpra shtëpi për shtëpi dhe bombardimet pa dallim nga ana e ushtrisë ruse, kanë kthyer Severodonjeckun dhe Lisiçanskun në “qytete të vdekura, pra duken si qytetet fantazmash.”,- theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Pushtimi i këtyre dy shënjestrave strategjike nënkupton se forcat ruse do të kenë kontrollin e gjithë rajonit Luhansk në lindje. Në këtë rajon hyn edhe qyteti Bakhmut, i cili nuk i ka shpëtuar granatimit.
“Duhet të mbijetojmë dhe të mos dorëzohemi. Unë jam 80 vjeç. Nuk kam menduar kurrë që Rusia do të na vriste kaq mizorisht.”,- u shpreh një banore e Bakhmut.
“Sot na bombarduan nga avioni, dritaret po dridheshin nga të shtënat, ndërsa ne po dridheshim nga frika.”,- tha një banore e Bakhmut.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase njofton se trupat ushtarake ruse janë duke u forcuar edhe në drejtim të Zaporizhjas. Marrja e kontrollit të këtij qyteti do t’i mundësonte ushtrisë ruse që të arrinte më lehtë në qendër të Ukrainës.
Rajoni i Zaporizhjas, pjesë të të cilit tashmë kontrollohen nga Rusia, përbën një prej zonave më të mëdha industriale në Ukrainë dhe aty gjendet centrali më i madh bërthamor në Evropë.
OKB: Pushtimi i Ukrainës, shkak i krizës ushqimore
OKB fajësoi pushtimin rus në Ukrainë, si shkaktar të krizës ushqimore në botë.
“Zoti ambasador i Federatës ruse, le të jemi të sinqertë, Kremlini po përdor furnizimet ushqimore si një raketë vjedhurazi kundër vendeve në zhvillim. Pasojat dramatike të luftës së Rusisë po përhapen në të gjithë globin dhe kjo po rrit çmimet e ushqimeve, duke i shtyrë njerëzit në varfëri dhe duke destabilizuar rajone të tëra.”,- theksoi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
I dërguari rus Vassily Nebenzia u largua nga salla e Këshillit të OKB-SË, duke akuzuar kryetarin e KE-së për përhapjen e gënjeshtrave. Lufta me Rusinë ka bërë që ushqimet të bllokohen në portet e Ukrainës.
Ukraina është një eksportues i madh i vajit të gatimit, si dhe i drithërave si misri dhe gruri. Rusia gjithashtu eksporton sasi të mëdha drithërash, si dhe plehra. Mungesa e këtyre eksporteve ka bërë që çmimi i alternativave të rritet në tregun botëror. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
