Maqedoni

Qytetarët: Çmimet e energjisë të bazohen te standardi

07.06.2022 16:16

Qytetarët nuk e kanë kuptuar metodologjinë e re që prezantoi dje Këshilli Rregullator i Energjetikës...

Qytetarët nuk e kanë kuptuar metodologjinë e re që prezantoi dje Këshilli Rregullator i Energjetikës për tarifat e reja. Qytetarët e anketuar kërkojnë çmime më të ulëta dhe të njëjtat të bazohen në standardin jetësor. Ata thonë se nuk duhet të bëhet eksperimente në kohë krizash, ku qytetarët përballen me vështirësi për kushtet më elementare për jetë.
 
“Gjithë ajo që u sqarua unë e kisha rënd ta kuptoj, se çka duan të thonë me grupin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt. Shumë rënd do ta kenë qytetarët ta kuptojnë mënyrën, e pagesës së kilovatëve të harxhuar, sipas metodologjive që ato sqarojnë. Nuk ishin të qartë gjatë sqarimeve, njerëzit kërkojnë diçka më thjesht dhe konkret, po do harxhoj dhe sa duhet të paguaj. Duhet të ketë parasysh edhe gjendjen socio-ekonomike, inflacionin papunësia të gjitha këto janë që e rendojnë qytetarin. Nuk mund të bëjmë eksperimente në kohë krizash. Të kemi kujdes që popullatën mos ta ngarkojmë me këto shpenzime.”,- deklaroi një qytetar.
 
“Njësoj është sa do harxhojmë aq paguajmë, krejt tjerat janë mashtrime.”,- tha një qytetar.
 
“Çmimin si e bënë është, unë pse harxhoj më shumë duhet mos punoj me rrymë. Unë nuk qëndroj këtu rryma paguhet. Shtrenjtë është edhe tani rroga 200 euro si do e paguajë, a të hajë, a ta paguajë rrymën?”,- theksoi një qytetar.
 
“Më shtrenjtë do e paguajmë, rryma shkon çdo ditë duke u rritur. Çmimet shkojnë përpjetë duhet pak me e ulë jo të rritet.”,- u shpreh një qytetar.
 
Nga KRRE dje thanë se qëllimi  i këtij modeli është që t’i jepet sinjal qytetarëve që të harxhojnë më pak energji elektrike. Pas debatit publik, Komisioni Rregullator do të duhet të vendosë për propozimin për 4 tarifa, të cilat duhet të përfshihen në Rregulloren e re për tarifat e konsumit të energjisë elektrike. Në vend, sipas analizave, janë të regjistruara 800 mijë matës si konsumues të energjisë elektrike.

VISAR SADIKI