Gjatë vikendit, temperaturat deri në 15 gradë

09.01.2015 15:21

Edhe gjatë vikendit, mëngjeset do të vazhdojnë të jenë të ftohta, por sinoptikanët paralajmërojnë ngritjen e temperaturave edhe atë gjatë ditës disa shkallë mbi zero...

Temperatura mesatare do të sillet nga 0 deri në 7 gradë celsius, ndërsa sidomos në pjesën juglindore temperaturat do të arrijnë deri në 15 gradë celsius, duke shkrirë edhe shtresën e borës. Por, nga e hëna na pret ulje e temperaturës dhe reshje të reja të borës.

“Gjatë vikendit presim ngritje të theksuar të temperaturave, me kushte për shkrirjen e borës. Sidomos do të rriten temperaturat e ditës, të shtunën ato do të arrijnë deri më 13 gradë në pjesën juglindore të vendit, ndërsa të dielën edhe deri më 15 gradë celsius. Në pjesën veriperëndimore të shtunën do të ketë kushte për reshje të shiut. Ndërsa ndryshime të kushteve klimatike do të ketë të dielën kah fundi i ditës dhe të hënën, kur vendi do të bie nën ndikimin e një vale të lagështisë, me kushte për reshje të shiut, që të hënën të kalojnë në reshje të borës, të shoqëruara me erë të fuqishme nga veriu dhe rënie të temperaturave, si dhe krijimi i shtresës së borës, sidomos në zonat malore në perëndim të vendit”- deklaroi sinoptikania, Konstadinka  Arsovska.

Po ashtu, si pasojë e temperaturave të ulëta dhe shtresës së krijuar të akullit, në kryeqendër janë regjistruar disa aksidente trafiku. Policia e trafikut dje në Shkup ka inspektuar tetë aksidente trafiku. Prej tyre 4 janë dëmtuar vetëm materialisht, ndërsa 4 të tjerë kanë kaluar me lëndime të lehta, si dhe 4 këmbësor po ashtu kanë pësuar lëndime të lehta.

Njëherit, gjatë ditës së djeshme policia ka identifikuar dhe ka sanksionuar dy shoferë të cilët kanë qenë nën ndikim të alkoolit, tre drejtues automjetesh të cilët nuk kanë respektuar shpejtësinë në komunikacion, 8 vozitës të cilët nuk kanë respektuar shenjat e komunikacionit, si dhe 34 këmbësorë të cilët kanë kaluar jashtë vijës së paraparë për këmbësorë apo kanë kaluar në semafor të kuq.

Nga Lidhja Automoto e Maqedonisë theksojnë se komunikacioni në të gjitha rrugët shtetërore në Maqedoni zhvillohet në kushte dimërore, me copëza të mbetura të borës dhe akullit për shkak të temperaturave të ulëta, prandaj u rekomandohet vozitësve të jenë më të kujdesshëm, sidomos sa i përket shpejtësisë. (Gyltene Sinani, TVM2)