Yaya Toure “mbret” i Afrikës

09.01.2015 16:08

Futbollisti i Manchester City-t, Yaya Toure u nderua me cmimin "Futbollisti Afrikan i Vitit" për të katërtin vit radhazi duke shënuar një rekord më vete për këtë trofe individual....

Futbollisti nga Bregu i Fildishtë që e mori cmimin gjatë një ceremonie të organizuar në Lagos të Nigerisë, mposhti konkurrencën e finalistëve të tjerë, portierit nigerian Vincent Eyneyama si dhe sulmuesit të Borussias së Dortmundit, futbollistit nga Gaboni Pierre-Emerick Aubameyang.

Yaya Toure barazon Samuel Eto'o me 4 cmime si "Lojtari Afrikan i Vitit" në palmaresin e tij personal, por bëhet i pari lojtar që i fiton këto trofe për 4 vite radhazi. 31-vjecari shënoi 20 gola në 35 prezenca në Premier League për Manchester City-n në sezonin 2013-2014 gjatë të cilit skuadra e Pellegrinit fitoi titullin në Premier League. Yaya Toure konsiderohet si një ndër futbollistët më të kompletuar në botë falë një miksimi, falë zotërimit të një përzierje kualiteti teknik dhe potence si pak futbollistë të tjerë.

Për sa i përket rivalëve që ishin në garë me të, Aubameyang, shënoi 13 gola në Bundesliga sezonin e kaluar për Borussian e Dortmundit, ndërsa Eyneyama ishte kapiteni i Nigerisë në Kupën e Botës ndërsa ishte gjithmonë titullar në skuadrën e tij Lille, duke e ndihmuar ekipin që ta mbyllte kampionatin në vendin e tretë për të siguruar eliminatoret e Champions League.