Rama: Të vazhdojmë drejt së ardhmes
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama....

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para të pranishmëve në forumin ‘Ballkani I Hapur’ që o mbahet në Ohër, ka thënë se kjo nismë ndihmon që të zgjidhen problemet e pazgjidhura duke qenë më afër.
“Ne duhet të flasim hapur në “Ballkanin e Hapur”. Lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” më të rëndësishëm dhe të hapur, edhe pse disa mendojnë ndryshe. Mbrëmë kam takuar ambasadorin Chris Hill, i cili është dëshmitari më i madh për domosdoshmërinë e kësaj nisme. Jam shumë i lumtur për Dritanin e Malit të Zi dhe Zoranin nga Bosnja. Gjithashtu jam i lumtur për eurokomisionerin Varhely dhe mikun tonë Escobar. Përtej të gjithë miqve dhe partnerëve, ‘Ballkani i Hapur” është i rëndësishëm për njerëzit tanë. Kjo nismë do të ketë në dorë fatet tona në të ardhmen”.
Rama tha se lidhja speciale mes Serbisë dhe Rusisë dihej edhe para luftës në Ukrainë, por përkujtoi se pa marrë parasysh çështjeve të pazgjidhura në rajon, anëtarët e kësaj nisme kanë vendosur që të ecin drejt së ardhmes.
“Ne e dimë shumë mirë. Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për të mësuar se mes Serbisë dhe Rusisë ka një histori. Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për tu informuar se mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt të pazgjidhur, këto i kemi ditur që të gjitha,. Por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe kthimit të syve drejt të ardhmes, ne kemi zgjedhur të dytën. Sot jemi këtu pikërisht sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt të ardhmes, pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura”, deklaroi mes tjerash Rama.
Sipas tij, problemet e pazgjidhura zgjidhen vetëm nëse afrohemi. Krizat në bujqësi, ushqim dhe energji, nuk zgjidhen me konflikt por me marrëdhënie dhe me diskutim, ka thënë Rama.
