SHBA-të kaplohen nga moti i ftohtë

09.01.2015 16:43

Pjesa lindore dhe qendrore e SHBA-ve është kapluar nga një mor i ftohtë, me borë dhe erë të fuqishme....

Akulli dhe bora kanë shkaktuar problem për banorët e këtyre zonave, e sidomos vështirësi në komunikacion. Autoritetet kanë paralajmëruar që banorët të mos largohen nga shtëpitë nëse nuk kanë nevoja urgjente. Janë mbyllur një numër i madh i shkollave në Çikago dhe Boston. Po ashtu janë mbyllur edhe 800 institucione publike.

“Nuk ishte kështu mbrëmë, vetëm binte borë dhe u ngri gjatë natës. Patjetër të dal disi”- u shpreh një banor.

Autoritetet në Pensilvani u kanë kërkuar qytetarëve të mos i shfrytëzojnë automjetet sidomos në zonat malore. Moti i keq i ka përfshirë edhe qendrat e skijimit në Çikago dhe Dakotën veriore. Gjendja është alarmante edhe në Minesota, ku temperaturat kanë zbritur edhe në -41 gradë. Reshjet e borës plotësisht i kanë paralizuar disa fshatra, derisa banorët po përballen me mungesën e ushqimit dhe ujit të pijshëm. Ekipet e shpëtimit kanë dalë në teren për të ndihmuar banorët sidomos në rastet e aksidenteve.

“Akulli po shkakton me të vërtetë probleme të mëdha. Rrugët e rrëshqitshme po shkaktojnë aksidente trafiku. Duhet të jemi të vëmendshëm”- deklaroi inxhinieri, Brajan Keri.

Por, nuk mungojnë edhe ata që u pëlqen moti i ftohtë.

„E dua motin e ftohtë. Kënaqem në mot të ftohtë”- theksoi një qytetar.

Meteorologët amerikanë kanë bërë të ditur se moti i ftohtë do të vazhdojë të jetë i pranishëm në këtë zonë edhe gjatë vikendit. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)