Maqedoni
Komisioni historik RMV- Bullgari, Azizi: Kemi presione nga opinioni publik
08.06.2022 14:23
Fati i datës për nisjen e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së...

Fati i datës për nisjen e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, nuk është në duart e Komisionit Historik thotë anëtari i vetëm shqiptar i Këtij komisioni Isamedin Azizi. Në “Argument” në TMV2 ai potencoi se pa marrë parasysh epilogut politik, puna e Komisionit Historik duhet të vazhdojë, edhe pse pranoi se, megjithëse nuk kanë presion politik, ndeshen me një presion të madh nga opinioni publik
“Puna e Komisionit nuk ka të bëjë me përcaktimin e fatit të RMV-së. Është fakt që kjo përshtypje qëndron dhe nga takimet të cilat i kemi me miq, të gjithë na thonë se kur do të vendoset, apo a do të tërhiqet vetoja apo jo, sikur gjithçka ka ngelur në fatin tonë, por kjo nuk qëndron. Opinioni e ka këtë përshtypje, por ne diskutimin tonë e kemi kryekëput për tekstet shkollore dhe për shënimin dhe kremtimin e personaliteteve dhe jo tema të tjera. Edhe sikur pala Bullgare ta largonte veton, puna e Komisionit do të duhet të vazhdojë. Presione politike deri më tani nuk ka pasur asnjëherë dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë, por presioni mbi Komisionin është nga opinioni publik.”,- tha anëtari në Komisionin Historik mes RMV-së dhe Bullgarisë, Isamedin Azizi.
Sofja pret rezultate nga Komisioni historik, Aliti: Tendencë për ngadalësimin e procesit
Analisti Faton Aliti thotë se megjithëse vendimi politik rreth vetos nuk duhet të lidhet me punën e Komisionit, keqpërdorimi i mungesës së rezultateve nga puna e tij, ka si qëllim vetëm të ngadalësojnë rrugën e RMV-së drejt BE-së.
“Arsyetimet e zyrtarëve bullgarë se do të presim se çka do të thotë Komisioni janë tendenca për ngadalësim të këtij procesi. Punë e Komisionit duhet të vazhdojë paralelisht me procesin e negociatave. Të shfytëzosh mos përfundimin e punës së Komisionit për të vazhduar me veton ndaj Maqedonisë do të ishte një qëndrim qesharak.”,- u shpreh analisti politik, Faton Aliti.
Azizi dhe Aliti gjithsesi janë optimistë se ndërhyrja edhe e ndërkombëtarëve në kontestin mes dy vendeve, do të sjellë një zgjidhje të shpejtë.
FITIM KRYEZIU
