Maqedoni

“Ballkani i hapur”, mundësi për rritje ekonomike dhe bashkëpunim

08.06.2022 14:46

“Ballkani i hapur” është një projekt që hap kufijtë, forcon bashkëpunim tregtar dhe rrit konkurueshmërinë e bizneseve...

“Ballkani i hapur” është një projekt që hap kufijtë, forcon bashkëpunim tregtar dhe rrit konkurueshmërinë e bizneseve, thanë pjesëmarrësit në panelin rreth ekonomisë dhe turizmit në kuadër të samitit “Ballkani i hapur”. Kjo nismë, sipas tyre, krijon mundësi të barabarta për të gjithë e ndihmon në synimin për anëtarësimin në BE.
 
“Unë jam mishërimi i “Open Balkans” - i shkolluar në Tiranë, me përvojë pune të krijuar në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, në të gjitha këto vende, sepse,  mu dha një shans. Por unë jam një. “Ballkani i hapur” është një shans për të gjithë brezat tanë, e çfarë është më e fuqishme nga ajo që t’i jepet një shans një gjenerate”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
“Ne vetë i kemi dhënë rajonit tonë emrin “Ballkan i Hapur”, kurse të tjerët na kanë dhënë Ballkanin Perëndimor dhe nuk na lejojnë të hapim derën. “Ballkan i Hapur” është një riemërtim i mirë i së ardhmes, ne duam ta udhëheqim Ballkanin ku njerëzit mund të lëvizin lirshëm, por një rajon që e sheh të ardhmen e tij në integrimin evropian.”,- theksoi ministrja e turizmit dhe mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
 
Ministri i ekonomisë, Bekteshi, propozon që vendet e Ballkanit të harmonizojnë regjimet e vizave. Homologia e tij serbe propozon oferta rajonale për të rimëkëmbur turizmin.
 
“Nëse një turist aziatik dëshiron të vizitojë rajonin, do të duhet të humbasë pothuajse një vit të tërë për të marrë dy ose tre viza dhe me to për të vizituar dy ose tre vende që janë dy orë larg. Kjo është arsyeja pse ne duhet të harmonizojmë regjimet e vizave për të tërhequr turistë nga vendet e treta”,- theksoi ministri i ekonomisë së RMV-së, Kreshnik Bekteshi.
 
“Është e nevojshme të bëhet një ofertë rajonale për tregje të largëta dhe më serioze për të tërhequr më shumë turistë të huaj. Ne duhet të mendojmë më gjerësisht dhe si rajon për t'u ngritur dhe paraqitur në mënyrën e duhur. Mendoj se vendet e tjera të rajonit nuk do të rrinë mënjanë dhe do të bashkohen me ne.”,- theksoi ministrja e tregtisë dhe turizmit të Serbisë, Tatjana Matiç.
 
Mbështetjen e tyre për nismën e “Ballkanit të Hapur” e shprehën edhe përfaqësues të Odave Ekonomike të të tre vendeve. 
 
ERSAN PAJAZITI