Përplasje LSDM-VMRO për energjinë elektrike

09.01.2015 16:47

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë kërkoi sot nga drejtuesit e Kompanisë Energjetike “MEPSO” që të japin dorëheqje kolektive, në shenjë përgjegjësie për defektet e fundit në rrjetin energjetik, pas çka, siç theksoi Atanasko Tuneski nga LSDM, u lanë pa energji elektrike rreth 200 mijë qytetarë....

“Ekipi menaxhues i MEPSO-s, që nga viti 2011 ka konstatuar se në rajonin Ohër-Strugë-Manastir janë të nevojshme investime urgjente në rrjetin distributiv. Ja edhe ky dokument, por deri në ditën e sotme nuk është investuar as një denarë në këto kapacitete”- deklaroi Atanasko Tuneski  nga LSDM.

Sipas LSDM-së, heshtja nuk mund ta shpëtojë ekipin udhëheqës të MEPSO-s nga përgjegjësia dhe nga hapat e pakuptimtë që ajo ka ndërmarrë në kuadër të bashkëpunimet me qeverinë dhe për shpenzimin e mjeteve të qytetarëve, me të cilat në vend që të mirëmbante rrjetin elektrik, i investonte në rregullimin e fasadave me stil barok.

Por, në një reagim të VMRO-DPMNE-së thuhet se problemi i mungesës së rrymës për të cilën reagoi Tuneski është punë në kompetencë të një kompanie private, duke aluduar në Kompaninë EVN.

“Nëse Atanasko Tuneski ka së paku një gram dinjiteti dhe kredibilitet politik, duhet që të qëndrojë para Shekerinskës dhe t’i përsërisë qëndrimet e tij që i ka pasur për shitjen e EVN-së në vitin 2006. T’ia përkujtojmë nëse ka harruar, atëherë Tuneski i patë thënë nënkryetares së tanishme të LSDM-së, se ESM nuk duhet që të shitet dhe se një kompani private nuk ka interes për t’u angazhuar për ndërprerjet e rrymës në fshatrat e bllokuara”, thuhet mes tjerash nga VMRO-DPMNE. (Besim Abdullahu, TVM2)