Maqedoni

Kuvend, përplasen pushteti dhe opozita

08.06.2022 15:45

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, u detyrua të ndërpresë seancën e 74 akoma pa filluar pasi i priti një orë e gjysmë...

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, u detyrua të ndërpresë seancën e 74 akoma pa filluar pasi i priti një orë e gjysmë deputetët që të mblidhen në sallën plenare, për të siguruar kuorumin e nevojshëm për punë. Në sallë të pranishëm ishin vetëm deputetët e shumicës ndërsa deputetët e VMRO-DPMNE-së lëshuan sallën akoma pa filluar seanca.
 
“Seanca e sotme është konvokuar më 26 maj 2022 se do mbahet në orën 11:00 është caktuar për më 26 maj. Për këtë seancë janë nënshkruar 97 deputetë që nuk hyjnë brenda. Unë i pres një orë e gjysmë por nuk hyjnë brenda. Prandaj e ndërpres punën e kësaj seance, ndërsa për vazhdimin do të njoftoheni plotësisht.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i ka kërkuar kreut të kuvendit caktimin e një seancë urgjente ku do të shqyrtohen propozim ligjet për uljen e akcizës dhe TVSh-së që sipas tyre  kanë për qëllim zbutjen e çmimeve. 
 
“Kërkojmë që kjo seancë të konvokohet sa më shpejtë të jetë e mundur pasi që çdo minutë i shkuar që kur qeveria vendosi të mos i vazhdojë masat anti-krizë për karburantet dhe produktet bazë, përbën një golgotë të paprecedentë për qytetarët.”,- theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Por, nga LSDM sigurojnë se me rebalancin e buxhetit do të ketë masa të reja anti-krizë për qytetarët. 
 
“Nis debati në komision për rebalancin e buxhetit dhe parashikohen mjete për masa të reja dhe deputetët e opozitës e dinë se do të ketë masa të reja.”,- u tha nga LSDM.
 
Nga ASh thonë se po ndjekin situatën me rritjen e çmimeve  dhe do të intervenojnë nëpërmjet propozime konkrete apo nëpërmjet amendamenteve duke ndërhyrë në ligjet e propozuara.
 
NAIM RAMADANI