Maqedoni

RMV e Shqipëria të lodhur nga pritja, kërkojnë sjellje europiane nga vendet e BE-së

08.06.2022 16:45

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të rëndësishëm në mozaikun e Europës...

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë të rëndësishëm në mozaikun e Europës, sepse plotësojnë zbrazëtirën që bart për sigurinë e plotë, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski. Kërkon nga BE t’i përmbahet politikës së zgjerimit, ndërsa vendeve anëtare të saj u bënë thirrje të sillen në mënyrë evropiane.
 
“Qëllimi ynë politik është i qartë dhe i vetëm. Ballkani Perëndimor patjetër të bëhet pjesë e BE-së. Është evropiane të ndihmohemi dhe jo të bllokojmë. BE dhe vendet anëtare të pranojnë në maksimum se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, tani më është çështje strategjie dhe sigurie.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Shqipëria dhe vendet e rajonit janë lodhur duke pritur para altarit të BE-së për martesë, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.Thotë se eurointegrimin Tirana nuk e merr më me stres dhe fton Shkup t’i bashkëngjitet këtij relaksi.
 
“Shqipëria nuk përgatitet më për atë dasmë. Nëse do të ndodh dasma, do të shkojmë me rrobat e rastit… Kur ata do të duan ta bëjnë dasmën, ne jemi gati. Prandaj u them miqve të RMV-së, mos e merrni me kaq stres këtë punën  e dasmës se na futët edhe neve stresin,  sa herë që ju shohim se nuk do ju marrë njeri. Nuk ju marrin, ka mbaruar kjo punë. Ka dalë Bullgaria, kuptoni edhe vet… Bashkimi Evropian, me të parë me të bërë, por ne, jemi këtu mes Europës, dhe neve BE na bëjnë ata, por E-në evropiane e kemi vet.”,- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Eurokomisarit për Zgjerim, Oliver Varheji, nuk i pëlqen ironizimi i Ramës. Integrimi është proces që e duan qytetarët e rajonit përgjigjet ai, e ballkanasit kanë interes të jetojnë sipas standardeve evropiane.
 
“Kur flas për aderimin në BE-në, martesa apo simbole të tjera që përmenden, në domenin publik flitet më shumë për procese, korniza negociuese, non-pejpëra e me radhë. Të jem i sinqertë me ju, nuk do duhej ta them  këtë si eurokomisar, por kjo nuk është aspak interesante! Absolutisht s’është interesant për njerëzit tanë në BE dhe Ballkanin Perëndimor, sepse vlerësoj se pyetja e tyre kyçe është: Kur do të jetojmë siç jetojnë në Evropë dhe BE?”,- theksoi eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji.
 
BE nuk do të jetë i plotë pa përfshirjen brenda të Ballkanit Perëndimor, pohon kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
 
“Nuk është me rëndësi kush është në pozitë më të mirë të integrimit, apo kush është më dobët në këtë proces. Të gjithë këtu e duan, që vendin e tyre ta shohin në familjen Bashkimi Evropian. As BE nuk do të jetë i plotë nëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë në të.”,- u shpreh kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
 
SHBA-ja do ta ndihmojë Ballkanin Perëndimor në integrimin  evropian, premton zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Eskobar, i cili mes tjerash e vlerësoi iniciativën “Ballkani i Hapur” projekt ekonomik por jo edhe politik.
 
“Ky nuk është projekt politik, por projekt i rëndësishëm ekonomik dhe është me rëndësi të mbetet i tillë dhe kështu do të keni më shumë përkrahje. Dua të t’ju them se mund të mbështeteni tek ne. Dua të vazhdoj diskutimin me liderët e rajonit dhe liderët tjetër të rajonit,  për atë se si ta përparojmë integrimin ekonomik dhe Integrimin Evropian të të gjithë rajonit.”,- u shpreh zëvendës-ndihmës-sekretar i shtetit të ShBA-së për Evropë, Gabriel Eskobar.
 
Edhe liderët tjerë rajonal të pranishëm në samitin “Ballkani i Hapur” me qëndrim se rajoni i takon vetëm familjes së madhe evropiane.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU