Maqedoni
“Ballkani i hapur”, ftohet Kosova t’i bashkëngjitet iniciativës
08.06.2022 17:01
Edhe pse vazhdimisht refuzon ftesën për pjesëmarrje në “Open Ballkan”...

Edhe pse vazhdimisht refuzon ftesën për pjesëmarrje në “Open Ballkan”, duke e vlerësuar si iniciativë të panevojshme, nga Forumi në Ohër mesazhi kryesor ishte përfshirja në këtë iniciativë e të 6 vendeve të Ballkanit perëndimor, përfshirë edhe Prishtinën. Përfaqësuesit e vendeve nënshkruese, dy vendeve vëzhguese dhe të BE-së e SHBA-së, thanë se nisma nuk është e plotë pa të gjithë.
“Ne jemi këtu për një standard dhe cilësi më të mirë të jetës së të gjithë qytetarëve tanë nga i gjithë Ballkani. Ftesa për kryeministrin e Kosovës mbetet e hapur. Unë jam i bindur se benefitet e Ballkanit të Hapur i meritojnë dhe do t’i marrin edhe qytetarët e Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
“Duhet të jetë e hapur për të gjithë. Çdo iniciativë për integrim ekonomik duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të barabartë.”,- theksoi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar.
“Vlerësoj se është iniciativë pozitive. Se nisma duhet të vazhdojë më tutje… dhe se kjo është e ardhmja që mund të krijohet që tani.”,- u shpreh komisioneri i BE-së për zgjerim, Oliver Varheji.
Kryeministri shqiptar Rama, tha se vendimmarrja për pjesëmarrje u takon politikanëve, ndërsa nisma u takon të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne këtu jemi pesë, dëshiroj që të jemi 6 por një gjë është e sigurt. Pikërisht sepse është i njerëzve, i vendeve, i të ardhmes, “Ballkani i hapur” as nuk ndalet e as nuk mbyllet.”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ftoi Kosovën të rishqyrtojë vendimin, por potencoi se Kosova kërkon trajtim të barabartë me shtete tjera.
“Në rast se Mali i Zi vjen me emër dhe mbiemër edhe me flamur të vet, ashtu do të vijnë të gjitha shtetet. Nëse dikush ka qejf që të ketë ndonjë logjikë tjetër, as ne nuk do të marrim pjesë.”,- tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Edhe pse ardhja e tij në “Open Ballkan” ka qenë me hamendje, përfaqësuesi i Bosnja - Hercegovinës, Tegeltija, thotë se shteti i tij duhet t’i bashkohet iniciativës.
“Shpresoj se ata politikanë që në Bosnja - Hercegovinës duhet të sjellin vendim, janë të vetëdijshëm se nuk kanë të drejtë që këtë tua bëjnë as transportuesve as prodhuesve as minatorëve e askujt tjetër që pretendon të bashkëpunoj e eksportoj në këto vende. Përgjegjësia do të jetë e jona.”,- theksoi kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Presidenti serb Vuqiq, u bëri thirrje liderëve të vendeve anëtare të formojnë grupe pune për të diskutuar se si të kapërcehen sfidat e krizës në të gjithë rajonit. Ftoi për pjesëmarrje edhe përfaqësuesit nga tre vendet që nuk i janë bashkangjitur ende nismës.
“Të formohen grupet e punës menjëherë, ose në takimin e radhës, që propozoj të jetë diku në Serbinë Jugore, para samitit të madh në Beograd në fund të verës. Nëse duan të marrin pjesë në formimin e grupeve punuese, në ato marrëveshje janë të mirëpritur edhe përfaqësuesit e Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Prishtinës.”,- theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Por, menjëherë pas kësaj ftese, potencoi gjithsesi se gjithçka mbetet te vullneti personal e ai nuk ka ndërmend të lusë askënd.
“Nuk e kam sindromën e lutjes. Urdhëroni nëse dëshironi, jeni të mirëseardhur, i gëzohem takimit me ju.”,- tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Me gjithë thirrjet e iniciuesve, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duket se kanë ndërruar bindjet mbi “Ballkanin e hapur”, ndërsa Kosova vazhdon të kundërshtojë të bëhen pjesë e nismës, me arsyetimin se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.
SANIJE DURAKU
