Maqedoni

“Ballkani i hapur”, u nënshkruan 4 marrëveshje të reja bashkëpunimi

08.06.2022 17:20

Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Ohër, rezultoi me nënshkrimin e katër marrëveshjeve dhe memorandumeve...

Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Ohër, rezultoi me nënshkrimin e katër marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Tre vendet anëtare të Ballkanit të Hapur janë dakorduar që bashkërisht të përballen me krizën ekonomike dhe energjetike duke bashkëpunuar dhe ndihmuar njëra tjetrën.
 
“Përfundimisht u dakorduam se së bashku do të përballemi me krizën ekonomike dhe mungesën e ushqimit dhe energjisë. Të nderuar, e konsideroj këtë samit si kthesë pozitive, pasi për herë të parë edhe Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina dhe faktori ndërkombëtar jemi së bashku në një vend.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
“Çdo gjë që ne mund të bëjmë për ta lehtësuar barrën e secilit prej vendeve tona falë bashkëpunimit mes vendeve tona është diçka jashtëzakonisht e vyer në këtë moment, kur edhe kokrra e fundit e grurit do të ketë një peshë të madhe sa një thes me grurë, kur edhe kilovati i fundit të ketë një peshë sa një megavat. Për këtë arsye grupi ynë i përbashkët do të fillojë menjëherë nga puna.”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
“Jam i kënaqur që kemi biseduar të gjitha çështjet e hapura dhe që shohim se si të gjejmë zgjidhje që qytetarët tanë të jetojnë sa më mirë. Dhe sigurisht se s’do të na kuptojnë të gjithë menjëherë. Kjo s’mund të sjell menjëherë rezultate dhe të jetë e dukshme për të gjithë por do të jetë dukshme gjithnjë e më shumë për çdo ditë.”,- u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Kovaçevski, Rama dhe Vuçiq ranë dakord që Shkupi, Tirana dhe Beogradi të njohin reciprokisht diplomat dhe titujt shkencor të lëshuara në institucionet e larta arsimore dhe institucionet e tjera të autorizuara në të tre vendet, gjë që sipas tyre do të përshpejtojë procedurën për krijimin e një tregu të vetëm të përbashkët të punës.
 
Me Memorandumin për Mirëkuptim për bashkëpunim në fushën e turizmit do të promovojë së bashku rajonin si një destinacion tërheqës turistik. Një nga qëllimet e Memorandumit për bashkëpunim në kulturë është krijimi i një kalendari të përbashkët të ngjarjeve kulturore që do të sjellë mobilitet të publikut dhe do të nxis turizmin kulturor ndërkaq, Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunimin e administratave tatimore ndërmjet vendeve të rajonit krijon një mundësi të re për lëvizjen më të lehtë ndërkufitare të njerëzve, mallrave apo shërbimeve.

SHPËTIM NUREDINI