Komisioni amë kalon ndryshimet kushtetuese

09.01.2015 17:46

Me shumicë të votave, propozim-ndryshimet kushtetuese kaluan leximin e dytë në Komisionit për Çështje Kushtetuese pranë Kuvendit Republikan...

Mazhoranca edhe një herë arsyetoi ndryshimet, duke i cilësuar ato si harmonizim me interesat e qytetarëve ndërsa kundër ishin vetëm deputetët e PDSH-së. Këta të fundit u përplasën me deputetët e BDI-së lidhur me mënyrën e votimit të amendamenteve në komision.

“Fryma e Marrëveshjes së Ohrit, edhe një herë do ta potencoj, ka qenë dhe mbetet që majorizimi të eliminohet  në  vendimmarrje këtu në kuvend, në trupat punuese e kështu me radhë. Pikërisht për këtë propozova, për shkak se nëse një deputet i BDI-së do ta japë votën për 2/3 e votave në seancë, do ta japë edhe për të votuar me shumicën e badinterit”- deklaroi nënkryetari i Parlamentit, Rafiz Haliti.

“Mirë bën, se politikisht pak mendove se je nxjerrë, por nuk mban kjo. Ministra e  partisë tonë refuzoi Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të miratohet me votim të dyfishtë apo badenter. Nuk do të  hy më thellë, por vetëm desha të sqaroj atë që ndodh këtu”- tha deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.

Me ndryshimet e reja kushtetuese planifikohet që ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës së Lartë të mos jenë më anëtarë të Këshillit Gjyqësor. Këshilli do të ketë 5 anëtarë që do t’i zgjedhë kuvendi.

Ndërkohë, martesa përkufizohet vetëm si bashkësi ndërmjet burrit dhe gruas. Në kushtetutë përfshihet edhe masa që deficiti buxhetor të mos guxojë të tejkalojë 3%, ndërsa borxhi publik të mos jetë më i lartë se 60%.

Banka Popullore do të shndërrohet në Banka e Maqedonisë, ndërsa do të mundësohet edhe hapja e zonave të lira financiare. Ndryshimet kushtetuese do të kalojnë në seancën plenare për votim më 20 janar. (Naim Ramadani, TVM2)