Franca edhe sot është tronditur nga terrorizmi
Policia franceze ka vrarë dy terroristët të cilët kishin kryer masakrën e djeshme në Paris....

Ata fillimisht u lokalizuan dhe më pas mes palëve ka pasur një shkëmbim të dhunshëm zjarri.
Shkëmbimi i zjarrit ka pasur edhe në verilindje të Parisit, ku terroristët janë mbyllur në supermarket dhe kanë marrë peng pesë persona. Personi i cili ka marrë pengjet, i ka bërë thirrje policisë franceze që të lirojnë vëllezërit Kouachi, të cilët janë autorët e masakrës.
Ai ka thënë se nëse kërkesa e tij nuk plotësohet, atëherë kërcënon se do të vrasë pengjet që ka në supermarket. Mes policisë dhe dy vëllezërve franko-algjerianë kanë nisur negociatat.
Agjentët e policisë të pranishëm në zonë, u kanë bërë thirrje banorëve që të mos dalin nga shtëpitë e tyre. Mësohet se rreth 88 mijë policë janë të angazhuar në operacion dhe autoritetet thonë se në rast të dështimit të negociatave, nuk e përjashtojnë mundësinë e mësymjes së dy ndërtesave ku mbahen peng qytetarë të pafajshëm. Edhe ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, ka konfirmuar zhvillimin e operacionit në Damartin en Goel, 35 kilometra larg Parisit.
“Momentalisht operacioni është nën kontroll. Po mobilizohen të gjitha njësitë në afërsi të vendndodhjes. Forcat speciale janë kudo. Operacioni do të zhvillohet sipas dinamikës, deri në përfundimin me sukses të planit, që po menaxhohet nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, nga drejtori i Policisë Kombëtare dhe nga Njësiti Anti-terror, si dhe nën koordinimin tim si ministër i brendshëm. Qëllimi i operacionit është neutralizimi i të dyshuarve për vrasjen”- deklaroi ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve.
Nga ana tjetër, pengmarrjet dhe situatat e terrorit që vazhdojnë prej ditësh, kanë nxitur reagimin e partisë “Fronti kombëtar” i Marine Le Pen.
Partia, e njohur për qëndrimet e saj radikale, veçanërisht ndaj emigrantëve dhe myslimanëve, i ka kërkuar presidentit, Francois Hollande, të pezullojë marrëdhënien me zonën Shengen, në mënyrë që të kontrollojë më mirë kufijtë e vendit.
Zhvillimet e fundit vijnë rreth 48 orë nga sulmi ndaj zyrave të revistës satirike, ku 12 persona mbetën të vrarë. Duke qenë se ndërmarrja ku po ndodh pengmarrja është pranë Aeroportit Ndërkombëtar, “Charles de Gaulle” ka raportime për anulim fluturimesh për shkak të rrezikut. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
