Botë
Lija e majmunit në Greqi, konfirmohet rasti i parë
09.06.2022 12:08
Mediat greke kanë bërë të ditur se është konfirmuar rasti i parë me linë e majmunit në shtetin fqinj...

Mediat greke kanë bërë të ditur se është konfirmuar rasti i parë me linë e majmunit në shtetin fqinj.
Autoritetet greke shëndetësore bën të ditur mbrëmjen e së mërkurës se një person, i cili ishte kthyer së fundmi nga Portugali, ka shfaqur të gjitha simptomat e lisë së majmunit. Aktualisht, ai është shtruar në spital ku ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Atij i është bërë një test fillestar në Laboratorin e Shëndetit Publik nga ku ka rezultuar pozitiv me këtë virus.
Kjo sëmundje tejet e rrallë, e afërt me linë e dhenve, shfaqet kryesisht në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore. Por së fundmi, raste të shumta janë diktuar në disa shtete të botës, si në SHBA, Kanada, Europë dhe vende të tjera.Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), këto raste lidhen me udhëtimet e personave të infektuar nga njëri shtet në tjetrin, si dhe nga importimi i kafshëve të infektuar me këtë virus.Situata nuk paraqitet alarmante nga ekspertët e shëndetësisë, por gjithsesi ata bëjnë thirrje që të bëhet kujdes.
Lija e majmunit u emërtua kështu në vitin 1958, kur një sëmundje e ngjashme me linë e dhenve u përhap në dy grupe majmunësh, të mbajtur për studime shkencore. Megjithatë, bartësi kryesor i këtij virusi është ende i panjohur. Sipas CDC, brejtësit afrikanë dyshohet se janë transmetues të tij. Rasti i parë i lisë së majmunit te njerëzit është regjistruar në vitin 1970, në Republikën Demokratike të Kongos, në një kohë kur e gjithë bota po bënte përpjekje të mëdha për të eliminuar linë e dhenve. Pas gati 40 vitesh pa raste të raportuara, lija e majmunit u rishfaq në Nigeri në vitin 2017. Që prej asaj kohe, në Nigeri janë raportuar mbi 450 raste dhe të paktën 8 prej tyre, kanë shërbyer si eksportues të virusit në shtete të tjera.
