Botë

Zelensky: Në Severodonetsk vendoset fati i Donbasit

09.06.2022 12:10

Në ditën e 105-të të luftës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se lufta për qytetin e Severodonetsk...

Në ditën e 105-të të luftës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se lufta për qytetin e Severodonetsk mund të vendosë rezultatin në lindje të vendit. Në një fjalim, ai tregon Severodonetskin si epiqendrën e përleshjes në Donbass, duke e cilësuar betejën më të vështirë.
 
“Kjo është një betejë shumë e ashpër, shumë e vështirë. Ndoshta një nga më të vështirat e kësaj lufte. Në shumë aspekte, fati i Donbass vendoset atje”, tha ai, ndërsa luftimet u ndezën në brezin industrial me forcat ruse dhe separatiste.
 
Zelensky deklaroi se trupat e tij po u shkaktonin humbje të mëdha forcave armike. Por sipas zyrtarit të lartë ukrainas të rajonit, forcat ukrainase janë shtyrë në periferi.
 
Sipas guvernatorit të Luhanskut, Serhiy Haidai, forcat speciale ishin tërhequr pasi Rusia “filloi të rrafshonte zonën me bombardime dhe sulme ajrore”.
 
“Forcat tona tani përsëri kontrollojnë vetëm periferi të qytetit. Por luftimet po vazhdojnë, forcat tona po mbrojnë Severodonetsk”, tha ai për mediat lokale.
 
“Është e pamundur të thuhet se rusët e kontrollojnë plotësisht qytetin”, shtoi ai.
 
Ndërkohë, avancimi rus në Ukrainën lindore vazhdon dhe çështja e grurit po bëhet gjithnjë e më e nxehtë në frontin diplomatik. Rusia nuk do të sulmojë nëse Ukraina fillon aktivitetet e çminimit në portet e saj për të lejuar kalimin e anijeve që transportojnë grurë. Këtë e siguroi ministri i jashtëm rus, Serghei Lavrov, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Ankara me homologun turk, Mevlut Çavusoglu.
 
Për takimin e mundshëm mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ekipi negociator duhet të rifillojë procesin e bisedimeve, por topi është në fushën e Kievit, i tha Lavrov Cavusoglu.