Maqedoni
Arsim, nesër nis regjistrimi në shkollat e mesme
09.06.2022 11:42
Rreth 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të vendit përfunduan sot vitin shkollor 2021/2022...

Rreth 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të vendit përfunduan sot vitin shkollor 2021/2022. Viti përfundon në afatin e rregullt, edhe pse fillimi i gjysmëvjetorit të dytë u shty për dhjetë ditë, për shkak të situatës së atëhershme me KOVID-19, si dhe humbjes së 12 ditëve të mësimit në prill për shkak të grevës së arsimtarëve.
Po ashtu semi-maturantët prej nesër 10 qershor nisin regjistrimin në shkollat e mesme, që do të zgjasë deri më 15 qershor. Aplikimi për regjistrim për here të parë do të bëhet në formë elektronike, në portalin për shërbime elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me njoftim të veçantë për llogaritë e tyre të përdoruesve në schools.mk.
Portali do të jetë i hapur prej nesër në orën 10:00 dhe nxënësit do të mund të plotësojnë aplikimet deri në orën 15 të datës 15 qershor, kur do të mbyllet sistemi për aplikim online. Rang lista preliminare e nxënësve të regjistruar do të publikohet më 16 qershor në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Dorëzimi i dokumentacionit të kërkuar në shkolla do të bëhet në datën 16 qershor nga ora 12:00 deri në orën 19:00 dhe më 17 qershor nga ora 7:00 deri në orën 19:00, sipas orarit që do të njoftohet çdo shkollë. Po ashtu rreth 16 mijë maturantë, të hënën, më 13 qershor, do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të maturës shtetërore përkatësisht testit ekstern sipas përzgjedhjes së nxënësve nga lëndët: Matematikë, Anglisht, Gjermanisht, Frëngjisht, Rusisht, Filozofi apo Estetikë.
Qendra Shtetërore e Provimeve duhet të shpallë rezultatet e dy provimeve më së voni brenda 30 ditëve. Ata që nuk do ta kalojnë provimet e maturës shtetërore këtë afat, do të kenë mundësi atë ta bëjnë edhe më 10 dhe 12 gusht.
GYLTENE SINANI
