Maqedoni

“Ballkani i hapur”, Varheliy për TVM2: Instrument për të përshpejtuar integrimin real

09.06.2022 13:31

Eurokomisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varheliy, e cilëson “Ballkanin e Hapur”....

Eurokomisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varheliy, e cilëson “Ballkanin e Hapur” si një projekt shumë të mirë e të nevojshëm për rajonin dhe më e rëndësishme si një iniciativë që buron nga vetë rajoni. Në një intervistë ekskluzive për TVM2, Varheliy tha se është koha të flitet më shumë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, sepse deri tani në fokus kanë qenë proceset e qasjes në Bashkimin Europian.
 
“Ne nuk flasim kurrë për integrimin e vërtetë të vendeve të rajonit. Deri tani në fokus kanë qenë “proceset e qasjes në Bashkimin Europian”, si procesi i anëtarësimit, apo konferencat ndërqeveritare. Integrimi i vërtetë ndodh kur shoqëria dhe ekonomitë e rajonit zhvillohen së bashku. Në këtë mënyrë, ekonomia dhe shoqëria e vendeve të rajonit mund të bëhen të krahasueshme me nivelin e standardeve të Bashkimit Europian dhe të ndërlidhura me të. Pra, mendoj, se kjo nismë mund të shërbejë si një instrument për të përshpejtuar procesin e integrimit real të vendeve të rajonit, por sigurisht vetëm nëse bazohet në parimet dhe vlerat e BE-së, siç janë katër liritë themelore. Pjesëmarrja jonë në këtë nismë është për të siguruar që të ketë përputhje.”,- theksoi komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Olivér Varhelyi.
 
Edhe pse takimit në Ohër i mungoi Kosova, qeveria e së cilës vazhdon të insistojë në realizimin e Procesit të Berlinit dhe Ballkanin e hapur e konsideron si “nismë serbe”, Varheliy shpreson që brenda një kohe jo shumë të gjatë, edhe Kosova do të bindet se kjo iniciativë është në funksion të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të rajonit, gjë që e afron me standardet e BE-së. 
 
Ideja e Macronit për KPE-në, Varheliy: Nuk zëvendëson BE-në, por shoh përfitime
 
Lidhur me propozimin e presidentit Francez për krijimin e Komunitetit Politik Europian, që do të përfshinte BE-në dhe vendet spirante jo vetëm të Ballkanit Perëndimor, komisioneri Varheliy tha se te kjo ide që ende po formësohet,  sheh përfitime për të gjitha palët.
 
“Ky propozim është në formësim, por unë shoh përfitime prej tij. Ishte e rëndësishme që u bë qartësimi, që ky komunitet nuk është një alternativë për anëtarësimin në BE. Nëse më lihet mua ta përkufizoj, për mua Komuniteti Politik Europian do të ishte një ombrellë shumë e rëndësishme politike për BE-në për të treguar vendosmërinë e Unionit  për të bashkëpunuar me fqinjët e tij. Në këtë kuadër, Ballkani Perëndimor ka një vend të privilegjuar. Shumica e tyre është në rrugën e anëtarësimit. Kjo do të lejonte takime të rregullta, si ato, që kemi parë në fillimin e 2020 të intensifikohen në Këshillin Europian, të ketë koordinim më të ngushtë për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe takime të tjera shumë më intensive se më parë. Takimet dhe shkëmbimet më të shumta se më parë, mund të sillnin përfitime të prekshme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe vendet e tjera që janë të gatshme tê marrin pjesë në këtë Komunitet, por edhe për Bashkimin Europian. Kjo pasi kjo do të bënte që BE-ja të kuptonte më mirë prioritet dhe shqetësimet e rajonit dhe të krijonte shkëmbime më të ngushta dhe më të mira.”,- theksoi komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësi, Olivér Varhelyi.
 
Intervista është realizuar në kuadër të projektit “Balkanview” – një ko-produksion i TVM2 me Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC).     
 
XHELAL NEZIRI