Uolers, apel për kultivim të tolerancës fetare në Maqedoni
Marrëdhëniet ndërfetare në Maqedoni janë pozitive, por ato do të duhet të mirëmbahen me angazhimin e të gjithë faktorëve në vend, si ato politik, por edhe subjekteve të tjera jopolitike...

Vlerësimi i tillë vjen nga ambasadori në largim i SHBA-ve në Maqedoni, Poll Uolers. Ai në një takim përshëndetës me kreun e BFI-së, Sulejman Rexhepi, tha se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë edhe në të ardhmen.
“Mendoj se është e rëndësishme për të gjithë, për çdo parti politike dhe për çdo grup që të vazhdojnë të punojnë në mirëmbajtjen e raporteve pozitive, si dhe në zgjidhjen e çështjeve që tangojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, me qëllim që ata të kenë një jetë prosperuese në këtë shoqëri demokratike dhe multikonfesionale”- deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Poll Uolers.
Kreu i BFI–së, Sulejman Rexhepi, tha se me Ambasadën amerikane kanë punuar në zgjidhjen me sukses të më shumë çështjeve që tangojnë popullatën në Maqedoni.
“Ka qenë një diplomat i urtë, i mençur dhe ka qenë aktiv. Njëherit, jo që kemi bashkëpunuar mirë vetëm në interes të të gjithë qytetarëve, por njëherit u tregua një mik i paharrueshëm dhe do të mbetet si i tillë prej anës tonë”- tha kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Ambasadori Uolers në krye të Ambasadës amerikane në Shkup ka qenë për tre vite rresht, ndërsa si pasues i tij do të vijë Xhon Bes, ambasador aktual i SHBA-ve në Turqi. (Meral Ismaili, TVM2)
